Semaforët/ Shfaqet një dritë e katërt – Çfarë do të thotë kur ajo bëhet e bardhë?

E kuqja, e verdha dhe e gjelbërja mund të mos jenë përgjithmonë ngjyrat e vetme të semaforëve. Një grup studiuesish nga Universiteti Shtetëror i Karolinës së Veriut po studion një sistem që shton një dritë të katërt të bardhë, e cila synon të hyjë në punë kur në kryqëzime qarkullon një numër i mjaftueshëm mjetesh autonome dhe të lidhura.
Megjithatë, kjo nuk është një pajisje që do ta shohim së shpejti në rrugë.
E ashtuquajtura "faza e bardhë" është ende objekt kërkimesh dhe simulimesh, dhe do të kërkonte infrastrukturë, makina dhe rregulla shumë të ndryshme nga ato aktuale. Ideja lindi kryesisht nga një problem i ardhshëm: si t'i bëjmë të bashkëjetojnë në të njëjtin kryqëzim automjetet e drejtuara nga njerëzit dhe makinat e afta për të komunikuar mes vete dhe me infrastrukturën?
Çfarë do të thotë drita e bardhë?
Funksionimi do të ishte thelbësisht i ndryshëm nga ai i një semafori tradicional:
Aktivizimi: Drita e bardhë do të ndizej vetëm kur në afërsi të kryqëzimit të ketë prani të mjaftueshme të mjeteve autonome të lidhura.
Komunikimi V2X: Përmes komunikimit vehicle-to-everything (mjet-te-çdo-gjë), këto makina do të shkëmbenin informacione dhe do të koordinojnë kohët dhe trajektoret, duke përcaktuar në kohë reale se cilat mjete mund të kalojnë kryqëzimin.
Roli për shoferët njerëzorë: Drita e bardhë do t'u shërbente kryesisht atyre. Në këtë fazë, shoferi duhet të ndjekë sjelljen e mjetit paraardhës: nëse ai kalon, e ndjek; nëse ngadalëson ose ndalon, bën të njëjtën gjë.
Kur numri i mjeteve autonome nuk është i mjaftueshëm, faza e bardhë përfundon dhe semafori kthehet te cikli normal i së kuqes, së verdhës dhe së gjelbërës.
Përfitimet: Deri në 94% më pak pritje
Simulimet tregojnë se avantazhet rriten së bashku me përqindjen e mjeteve të automatizuara:
Me 10% mjete autonome: kohët e pritjes uulen me rreth 3%.
Me 30% mjete autonome: ulja e vonesave arrin në 10,7%.
Në skenarët me prani shumë të lartë: reduktimi i kohëve të humbura mund të arrijë deri në 94% krahasuar me sistemet tradicionale, duke ulur gjithashtu konsumin dhe emmetimet.
Disa kërkime shkojnë edhe më larg, duke parashikuar kryqëzime pa fenerë semaforikë, ku kalimi menaxhohet drejtpërdrejt nga sistemet kompjuterike të veturave.
Sfidat: Jo vetëm makinat, por edhe siguria
Kalimi i këtyre modeleve nga simulimi në rrugë është jashtëzakonisht kompleks:
Mjedisi rrugor: Një kryqëzim real përfshin këmbësorë, biçikleta, motoçikleta, mjete shpëtimi dhe automjete të palidhura, si dhe një sërë situatash të paparashikueshme.
Siguria kibernetike: Një sistem i tillë kërkon mbrojtje ndaj sulmeve kibernetike, defekteve të komunikimit dhe keqfunksionimeve.
Menaxhimi i emergjencave: Çdo zgjidhje duhet të ofrojë mënyra sigurie për të menaxhuar qarkullimin menjëherë në rast problemesh me rrjetin apo sistemet e bordit.


