"Rrezikohen bizneset e rregullta"/ Paketa fiskale, eksperti i ekonomisë: 150 milionë euro më shumë në buxhet

Në një lidhje të drejtpërdrejtë televizive, eksperti i ekonomisë Igli Tola analizoi filozofinë e paketës së re fiskale. Ai u ndal te ndryshimet në tatimin e dividendit, ulja e pragut të TVSH-së dhe zgjerimi i numrit të kontribuuesve.
Z.Tola ngriti pikëpyetje mbi realizimin e të ardhurave të parashikuara, që sipas qeverisë arrijnë në rreth 150 milionë euro më shumë se një vit më parë, duke theksuar se prioritet duhet të jetë transparenca dhe mënyra se si përdoren paratë publike.
INTERVISTA E PLOTË:
Do të doja një opinion nga ju për atë që mund të quhet filozofia e këtij buxheti e kësaj pakete fiskale, që ata që fitojnë më shumë taksohen apo kanë tatime më të rënda. Ju si mendoni?
Igli Tola: Tendencat që fshihen si në materialin e paketës fiskale të propozuar, ashtu edhe në draft-buxhet, janë pikërisht konform asaj që ju edhe parashtroni. Pra duket sikur po tentohet të rigjendet një ekuilibër fiskal i prishur më përpara. Në qoftë se deri aktualisht kishim një mbitatim apo një dominim të peshës së kontributit të punës e tatimit të punës së profesionistëve, tashmë po tentohet që kjo gjë të balancohet duke rritur peshën specifike edhe të kapitalit.
Pra duke rritur masën e kontributit nga aktiviteti ekonomik i njësive të ndryshme ekonomike pavarësisht madhësisë së tyre, gjë që e shohim si në lidhje me rritjen e normës së tatimit të dividendit, por njëkohësisht edhe në rënien e pragut për aplikimin e TVSH-së për njësitë ekonomike nga 10 në 5 milionë lekë të reja.
Pra kjo është qasja në terma të përgjithshëm. Pastaj duke analizuar konkretisht ndryshimet që ndodhin si për sa i përket TVSH-së për shportën bazë dhe TVSH-së standarde, tatimit për pronat, tatimit për automjetet ose taksës së qarkullimit, tatimit të fitimit e kështu me radhë, normalisht që përgjigja apo qasja mund të ishte disi tjetër.
E përmendët pak që një masë relativisht e madhe e profesionistëve të lirë, rreth 17.500 vetë, do të preken nga një masë më e madhe fiskale në kuptimin që ulet tavani i futjes së tyre në skemën e TVSH-së nga 100 milionë lekë në 50 milionë lekë. Po kjo masë si është?
Igli Tola: Ajo që pretendohet të arrihet është që të kemi një formalizim më të madh. Normalisht kjo vjen edhe si një presion i partnerëve e donatorëve tanë kryesorë, duke nisur nga FMN-ja ose Banka Botërore, që i bëjnë çdo vit kërkesë vendimmarrësve që të eliminohen ose të hiqen pragjet e tavanet, sepse këto janë hapësira që krijojnë vend për abuzim.
Pra çdo diskriminim pozitiv ose negativ normalisht ndikon në zhvillimin normal ekonomik. Me pragun e ri prej 5 milionë lekësh të reja, po qe se do ta kthejmë në bazë mujore dhe ditore, është një qarkullim rreth 400.000 lekë të reja në muaj, që në bazë ditore është diçka më shumë se 12.000 apo 13.000 lekë të reja.
Normalisht pretendohet që pjesa dërmuese e bizneseve, pavarësisht formës së tyre juridike, do të përfshihen dhe mund të ngelen jashtë kësaj vetëm një numër shumë i vogël, kryesisht operatorë të tregtimit me pakicë dhe profesionistë të lirë të cilët kanë zgjedhur të punojnë në mënyrë të pavarur.
Por në thelb gama e bizneseve që do të përfshihen tashmë në regjimin e TVSH-së do të jetë më e madhe, duke rritur pretendimet për transparencë nga ana e tyre, por patjetër duke ndikuar edhe në një barrë tatimore të shtuar për ta.
Qeveria ka përllogaritur që të thithë përmes kësaj pakete fiskale rreth 150 milionë euro më shumë sesa viti i kaluar. Çfarë duhet të presë publiku në këmbim me këtë masë parash monetare që sigurohet, që është më e madhe?
Igli Tola: Besoj se elementi më i rëndësishëm nuk është se sa më shumë përfshihen në arkën e shtetit. Gjëja më primare në gjykimin tim është transparenca, llogaridhënia në mënyrën e përdorimit të tyre dhe se sa me efiçencë do të përdoren këto fonde për të siguruar rritje ekonomike dhe rritje të mirëqenies.
Por nga ana tjetër, kur flasim për numra, më e rëndësishmja në pamjen fiskale është zgjerimi i bazës së kontributorëve sesa në thelb rritja në vlera. Sepse në qoftë se ne do të vijojmë të tatojmë më shumë ato subjekte të cilat janë të rregullta e transparente në raport me organet tatimore dhe thjesht u rëndojmë barrën tatimore atyre, kjo krijon vështirësi për operimin e tyre në afatshkurtër apo në afatgjatë.
Prandaj nuk duhet t’i gëzohemi këtyre shifrave, të cilit së pari janë shifra të parashikuara dhe zakonisht ka një diferencë midis planit dhe faktit. Pasi në gjykimin tim kontributi që pretendohet të vijë nga tatimi i dividendit dhe taksa e qarkullimit të mjeteve nuk do të jenë ato të parashikuara, dhe me marrjen e efektit nga regjimi i ndryshuar i TVSH-së, mendoj se në fund të vitit 2027 përfundimi nuk do të jetë kaq pozitiv.
Përpjekja më e madhe duhet të bëhet për të zgjeruar bazën e tatueshme, për të përfshirë ato që sot nuk janë të përfshira apo japin deklarime jo të vërteta, si dhe për të siguruar transparencën e llogaridhënien në përdorimin e këtyre fondeve.


