Qiratë në Tiranë arrijnë nivele rekord, gjysma e apartamenteve kushtojnë mbi 660 euro në muaj

Qiraja mediane e apartamenteve në Tiranë për muajin nëntor 2026 ka arritur në 660 euro në muaj.
Të dhënat janë përllogaritur nga platforma për tregun e pasurive të paluajtshme Pragu.al, mbi bazën e rreth 3 mijë njoftimeve për dhënien e apartamenteve me qira për 56 zona të kryeqytetit.
Vlera mediane është çmimi që ndodhet në mes të të gjitha njoftimeve, pasi ato renditen nga më i ulëti te më i larti.
Gjysma e njoftimeve kanë çmime më të ulëta se kjo vlerë dhe gjysma tjetër çmime më të larta. Ndryshe nga mesatarja aritmetike, vlera mediane nuk ndikohet ndjeshëm nga disa çmime shumë të larta ose shumë të ulëta.
Agjencia imobiliare shpjegon se për shembull, për pesë apartamente me qira prej 400, 500, 550, 600 dhe 3,000 eurosh, vlera mediane është 550 euro, ndërsa mesatarja aritmetike arrin në 1,010 euro.
Nga çmimet mediane të qirasë të llogaritura për 56 zona të Tiranës, sipas të dhënave të pragu.al vlerat më të larta arrijnë në zonën e “Mine Peza” me 870 euro në muaj, e ndjekur nga Rruga e Barrikadave me 850 euro, Ish-Ekspozita me 820 euro dhe në zonën e Kopshtit Botanik shkon në 800 euro.
Nivele të larta qiraje rezultojnë edhe për zona të tjera pranë qendrës dhe në disa nga lagjet më të kërkuara të Tiranës.
Në Liqenin Artificial, qiraja mediane është 790 euro në muaj, në Bllok 770 euro, ndërsa në Rrugën e Kavajës arrin në 770 euro. Në Kopshtin Zoologjik dhe në Farkë qiratë janë përkatësisht 750 euro, ndërsa në Sheshin Ëillson 730 euro.
Në zonën e Qendrës, Komunën e Parisit, Rrugën e Durrësit dhe Kodra e Diellit, qiraja mediane luhatet nga 720 euro deri në 720 euro në muaj, ndërsa në Bulevardin e Ri dhe Selvi regjistrohet në rreth 700 euro.
Në anën tjetër, zonat me çmime më të lira për marrjen me qira të një apartamenti janë Shkoza, me një vlerë mediane prej 440 eurosh në muaj, Kodra e Priftit me 500 euro dhe Yzberishti me 520 euro.
Në disa zona të tjera, si Astiri, 5 Maji, Ali Demi, Fresku, Kinostudio dhe Qyteti Studenti, qiraja mediane është rreth 550 euro në muaj.
Mediana është vlera që ndan njoftimet në dy grupe të barabarta: gjysma e apartamenteve reklamohen me çmime më të ulëta dhe gjysma me çmime më të larta.
Ndryshe nga mesatarja aritmetike, ky tregues ndikohet më pak nga njoftimet me çmime shumë të larta ose shumë të ulëta dhe jep një panoramë më përfaqësuese të nivelit të qirave në treg.
Qiraja mesatare
Monitor më herët publikoi qiranë mesatare për 13 zona të Tiranës, sipas të dhënave të agjencisë imobiliare “Century 21.
Në Tiranë, për periudhën janar-qershor 2026 çmimi mesatar mujor për qiranë afatgjatë për tipologjinë e apartamenteve 1+1 arriti 590 euro.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025-s qiraja mesatare u rrit 4.4%. për apartamentet 2+1 qiraja mesatare arriti 954 euro në muaj nga 755 euro që ishte për janar-qershor 2025. Rritja 26.3%.
Sipas zonave, për periudhën janar–qershor 2026, rritja më e lartë e qirave për apartamentet 1+1 u regjistrua në zonën pranë Stadiumit “Air Albania”, ku çmimi mesatar arriti në 800 euro në muaj, ose 45% më shumë se në janar–qershor 2025.
Në zonën e ish Bllokut, çmimi mesatar i qirasë mujore për apartamentet 1+1 arriti në 700 euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, çmimi i qirasë mesatare u rrit rreth 8%.
Rritje të konsiderueshme pati edhe në zonën e Zogut të Zi me 29%, dhe në rrugën e Elbasanit me 18%.
Edhe zonat periferike të Tiranës shënuan rritje të çmimeve të qirave gjatë periudhës janar–qershor 2026, megjithëse nivelet e qirave mbetën dukshëm më të ulëta krahasuar me zonat qendrore.
Për apartamentet 1+1, qiraja mesatare në Astir arriti në 550 euro në muaj, me rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në Zogun e Zi, qiraja mesatare u rrit me 29%, duke arritur në 620 euro në muaj. Ndërsa në “Don Bosko”, “Kinostudio” dhe “Kombinat”, rritjet ishin më të moderuara, duke u luhatur nga 2% deri në 3%.
Nga ana tjetër, disa zona shënuan rënie të çmimeve të qirave. Rënia më e madhe u regjistrua në zonën e Stadiumit Dinamo, ku qiraja mesatare zbriti me 23%, nga 740 në 570 euro në muaj. Ulje pati edhe në zonën e Liqenit Artificial me 15% dhe në Komunën e Parisit me 6%.
Për apartamentet 2+1, çmimet më të larta të qirave gjatë periudhës janar–qershor 2026 u regjistruan në zonën pranë Stadiumit “Air Albania” dhe në zonën e Stadiumit Dinamo, ku qiraja mesatare arriti në 1,500 euro në muaj.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, çmimet u rritën përkatësisht me 46.3% dhe 52.6%.
Rritje të fortë pati edhe në zonën e “Myslym Shyrit”, ku qiraja mesatare për apartamentet 2+1 arriti në 1,400 euro në muaj, ose 86.7% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, në Ish-Bllok çmimi mesatar mbeti pothuajse i pandryshuar, duke u rritur vetëm me 0.1%, nga 1,099 në 1,100 euro në muaj.
Për apartamentet 2+1, rritjet në periferi ishin më të dukshme. Në Astir, qiraja mesatare arriti në 665 euro në muaj, me rritje prej 16.7%, ndërsa në Fresk u rrit me 28.6%, duke arritur në 450 euro në muaj. Në Zogun e Zi, qiraja mesatare u ngjit në 900 euro në muaj, ose 12.5% më shumë se një vit më parë.
Pavarësisht rritjes së çmimeve, zonat periferike vijojnë të ofrojnë alternativa më të përballueshme për qiramarrësit krahasuar me zonat elitare dhe ato pranë qendrës së Tiranës, ku çmimet e qirave janë ndjeshëm më të larta./ Monitor.al/
KLIKO PËR TË PARË LISTËN E ÇMIMEVE PËR 56 ZONA NË KRYEQYTET


