Qiratë e papërballueshme nxjerrin grekët në rrugë, protestë masive në Athinë

Mijëra qytetarë kanë protestuar të mërkurën në kryeqytetin grek, Athinë, kundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve të qirave dhe vështirësive gjithnjë e më të mëdha për të siguruar një banesë të përballueshme.
Protestuesit dolën në rrugë për të kërkuar ndërhyrjen e qeverisë, duke ngritur shqetësimin për krizën e strehimit që po rëndon mbi familjet, të rinjtë dhe shtresat me të ardhura të ulëta.
Demonstrata u zhvillua në sheshin Klafthmonos, në qendër të Athinës, ku qindra persona u mblodhën me thirrje për politika më efektive në fushën e strehimit dhe mbrojtje më të madhe për qytetarët që jetojnë me qira. Pjesëmarrësit kërkuan masa konkrete për të frenuar rritjen e kostove të banimit dhe për të garantuar mundësi më të mira për sigurimin e një shtëpie me çmim të përballueshëm.
Në protestë u bashkuan sindikata, organizata studentore dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kërkuan që autoritetet greke ta trajtojnë krizën e strehimit si një çështje me rëndësi të veçantë sociale.
Sipas kërkesave të demonstruesve, qytetarët duhet të kenë mundësi të sigurojnë një banesë pa u përballur me një barrë të papërballueshme financiare, ndërsa qiramarrësit duhet të kenë mbrojtje më të fortë përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve.


