Qindra shqiptarë në Shtëpinë e Pavarësisë, Vlora mbushet me vizitorë nga të gjitha trevat

Qindra vizitorë nga trevat shqiptare kanë zgjedhur Vlorën për të festuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke vizituar një prej vendeve më të rëndësishme të historisë kombëtare, Muzeun e Pavarësisë.
Qyteti bregdetar është veshur kuq e zi në këtë 28 Nëntor, ndërsa rrugët dhe hapësirat publike janë mbushur me qytetarë, të rinj dhe vizitorë që kanë ardhur për të përjetuar nga afër atmosferën festive. Mes tyre ka edhe shumë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe treva të tjera shqiptare, të cilët kanë zgjedhur të jenë pjesë e festimeve në qytetin ku u shpall Pavarësia.
Vizitorët kanë ndarë emocionet e tyre për këtë ditë të veçantë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së historisë dhe traditave kombëtare. Një prej të rinjve tregoi se kishte udhëtuar nga Tetova, së bashku me shkollën, për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit.
Për të, kjo vizitë në Vlorë përfaqëson një mundësi për të njohur më nga afër historinë e Shqipërisë dhe për të qenë pjesë e festimeve në një datë me rëndësi të veçantë për të gjithë shqiptarët.
Ndër destinacionet më të vizituara është edhe Shtëpia e Pavarësisë, aty ku më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë kësaj dite, muzeu është kthyer në një pikë të rëndësishme takimi për vizitorët, të cilët kanë shfrytëzuar rastin për të parë nga afër vendin ku u shkrua një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë kombëtare.
Atmosfera festive në Vlorë vijon të karakterizohet nga flamujt kuqezi, vizitat në monumentet historike dhe pjesëmarrja e qytetarëve nga të gjitha trevat shqiptare, duke e kthyer qytetin në një nga qendrat kryesore të festimeve të Ditës së Pavarësisë.


