Qeveria ndryshon Kodin Penal / Kufizime në publikimin e dosjeve, përgjimeve, vendimeve dhe masave të sigurisë

Qeveria ka propozuar një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, të cilat prekin mënyrën e zhvillimit të hetimeve, të drejtat e personave nën hetim dhe të pandehurve, kontrollet dhe sekuestrimet, aksesin në telefonat celularë, masat e sigurimit, por edhe publikimin nga media të materialeve që lidhen me procedimet penale.
Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme për median parashikohet në nenin 103 të Kodit, i cili propozohet të riformulohet pothuajse tërësisht.
Kufizimet
Sipas projektligjit, ndalohet shpërndarja apo publikimi, edhe pjesërisht, i akteve të procedimit penal që mbrohen nga sekreti hetimor, si dhe i përmbajtjes së tyre.
Ndalimi përfshin publikimin përmes shtypit, televizioneve, faqeve zyrtare të institucioneve, rrjeteve sociale apo çdo forme tjetër komunikimi.
Për kërkesat për informacion nga palët e treta, organi procedues duhet të vlerësojë interesin për informim përballë nevojës për ruajtjen e fshehtësisë së hetimit. Në rast refuzimi parashikohet e drejta e ankimit brenda 10 ditëve në gjykatë. Projektligji përcakton se në këto raste ankimi do të bëhet vetëm në rrugë gjyqësore dhe jo pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Ndalimet

Projektligji shkon më tej, duke vendosur kufizime edhe për disa akte të hetimit paraprak që nuk mbrohen më nga sekreti hetimor.
Në rastin kur procedimi pushohet, publikimi mund të ndalohet deri në një vit pas vendimit të pushimit, sipas vlerësimit të prokurorit ose gjyqtarit të seancës paraprake.
Në rastet e tjera, ndalimi parashikohet deri në fillimin e seancës së parë të shqyrtimit gjyqësor të themelit.
Personat e përfshirë mund të paraqesin publikisht versionin e tyre për ngjarjen, por pa publikuar përmbajtjen e akteve të dosjes.
Masat e sigurimit
Një tjetër ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë në raportimin mediatik është ndalimi i publikimit të vendimeve gjyqësore për masat e sigurimit, për aq kohë sa ekzistojnë kushtet e përcaktuara në nenin e ri.
Kjo do të prekë dokumente që sot përbëjnë shpesh bazën e raportimit për çështje penale me interes të lartë publik.
Prokuroria, nga ana tjetër, mund të komunikojë informacion për publikun kur kjo konsiderohet rreptësisht e nevojshme për hetimin ose për interesin publik, por pa shpërndarë aktet procedurale apo përmbajtjen e tyre.
Përgjimet telefonike
Projektligji vendos një rregull të posaçëm për përgjimet telefonike.
“Publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i përmbajtjes së përgjimeve telefonike është gjithmonë i ndaluar”, përcakton drafti.
Përjashtim bëhet vetëm për pjesën e transkriptimit që citohet në arsyetimin e një vendimi ose që përdoret gjatë gjykimit.
Parashikohen gjithashtu kufizime për publikimin e akteve të gjykimeve me dyer të mbyllura, identitetit dhe të dhënave që bëjnë të identifikueshme viktimat, si dhe pamjeve të personave të privuar nga liria kur janë nën masa shtrëngimi fizik. Kur publikimi lejohet, dokumentet duhet të anonimizohen dhe redaktohen.

“Neni 103
Ndalimi i publikimit të akteve dhe i pamjeve të procedimit penal
1 Ndalohet shpërndarja, apo publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të procedimit penal që, sipas këtij Kodi, janë të mbrojtura nga sekreti hetimor, si dhe i përmbajtjes së tyre, nëpërmjet shtypit, mjeteve audiovizive, faqeve zyrtare të institucioneve, rrjeteve sociale ose çdo forme tjetër të komunikimit nga organet proceduese, i pandehuri dhe mbrojtësi, viktima ose trashëgimtarët e tij, si dhe nga ekspertët ose persona të tjerë që kanë marrë dijeni mbi aktet për shkak të cilësive të tyre zyrtare.
2 Në rast të kërkesave për informacion nga të tretët, organi procedues vlerëson interesin e kërkuesit për informim në raport me nevojat e fshehtësisë së hetimeve, duke u mbështetur në parimin e proporcionalitetit. Në rast refuzimi të kërkesës, subjekti i interesuar ose palët e treta kanë të drejtën e ankimit brenda 10 ditëve pranë gjykatës së shkallës së parë kompetente, e cila e gjykon ankimin në dhomë këshillimi. Në këto raste ankimi ushtrohet vetëm në rrugë gjyqësore dhe jo pranë komisionerit për të drejtën e informimit.
3 Ndalohet shpërndarja apo publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, nga organi procedues, nga kallëzuesi, viktima, i pandehuri ose personi nën hetim dhe nga mbrojtësit e tyre, i akteve të hetimeve paraprake, që nuk janë më të mbrojtura nga sekreti hetimor:
4 a) kur vendoset pushimi i procedimit, deri në një vit pas vendimit të pushimit, sipas vlerësimit përkatësisht të prokurorit, ose gjyqtarit të seancës paraprake që ka vendosur pushimin; ose
5 b) deri në fillimin e seancës së parë të shqyrtimit gjyqësor të themelit, sipas parashikimeve të këtij Kodi.
Ky detyrim nuk pengon të drejtën e personave të mësipërm për të treguar në publik këndvështrimin e tyre për ngjarjet, pa përhapur përmbajtjen e akteve të mësipërme.
4 Parashikimet e pikave 1, 2 dhe 3 të këtij neni nuk pengojnë të drejtën e të pandehurit, viktimës, trashëgimtarëve të saj dhe të kallëzuesit për njohjen dhe marrjen e materialeve të çështjes në përputhje me përcaktimet e këtij Kodi.
5 Ndalohet publikimi i vendimeve gjyqësore për masat e sigurimit. Ky ndalim zbatohet për aq kohë sa janë të pranishme kushtet e përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3 të këtij neni.
6 Pikat 1, 2, 3 dhe 5 të këtij neni nuk e pengojnë organin e akuzës që të komunikojë informacion për publikun, kur kjo është rreptësisht e nevojshme për arsye që lidhen me hetimin penal ose me interesin publik, me kusht që të mos shpërndahen akte procedurale apo përmbajtja e tyre dhe që të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë, në përputhje me pikën 12 të këtij neni.
7 Publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i përmbajtjes së përgjimeve telefonike është gjithmonë i ndaluar, me përjashtim të pjesës së traskiptimit që citohet në arsyetimin e një vendimi ose që përdoret gjatë gjykimit.
8 Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të shqyrtimit gjyqësor, kur gjykimi zhvillohet me dyer të mbyllura. Ndalimi i publikimit hiqet kur plotësohen afatet e caktuara me ligj për arkivat e shtetit dhe, në çdo rast, jo më parë se dhjetë vjet nga data kur vendimi ka marrë formë të prerë.
9 Ndalohet publikimi i gjeneraliteteve dhe i pamjeve të miturve që janë të pandehur, viktima, dëshmitarë ose të përfshirë në çfarëdo lloj forme në procedim. Gjykata mund të lejojë publikimin vetëm kur kjo i shërben interesit më të lartë të të miturit me kusht që të mos cenohet dinjiteti dhe privatësia e tij.
10 Ndalohet publikimi i të dhënave dhe i pamjeve që bëjnë të identifikueshme viktimat e veprave penale, përveçse kur ato kërkojnë shprehimisht publikimin dhe gjykata vlerëson se kjo nuk cënon dinjitetin e tyre.
11 Është i ndaluar publikimi ose transmetimi i imazheve të personave të privuar nga liria, ndërkohë që janë subjekt i masave të shtrëngimit fizik. Publikimi mund të autorizohet vetëm me pëlqimin e shprehur dhe të dhënë lirisht nga personat në fjalë. Ky ndalim zbatohet pavarësisht nga mjeti i publikimit dhe pavarësisht nëse kufizimi ndodh në kuadër të arrestimit, paraburgimit apo ekzekutimit të një dënimi me burgim.
12 Organet e ndjekjes penale, gjykatat dhe çdo autoritet tjetër publik dhe ligjzbatues, në komunikimin e tyre me publikun dhe mjetet e informimit, respektojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, dhe respektojnë ndalimin e publikimit të parashikuar në këtë nen.
13 Kur publikimi është i lejuar, dokumentet duhet të anonimizohen dhe redaktohen.
14 Regjimi i parashikuar nga ky nen për palët e treta zbatohet edhe për dokumentet që tashmë kanë në zotërim. Në rastin e të tretëve dhe veçanërisht gazetarëve, mediave, që zotërojnë tashmë të dhëna që bien në regjimin e këtij neni, ata mund t’i kërkojnë gjykatës kompetente të shkallës së parë autorizimin për publikimin e të dhënave. Gjykata kompetente shqyrton kërkesën duke u mbështetur në rrethanat konkrete të rastit, në parimin e proporcionalitetit, si dhe duke vlerësuar barazpeshën ndërmjet ruajtjes së integritet të procedimit penal, të drejtave të palëve në proces, si dhe të drejtës për informim të publikut. Ndaj vendimit të gjykatës mund të ushtrohet ankim sipas rregullave të këtij kodi. Në çdo rast, publikimi nuk mund të kryhet pa autorizimin gjyqësor.


