Publikohen emrat, kush janë avokatët që rrezikojnë të humbasin licencën pasi thyen bojkotin

Aktualitet

Publikohen emrat, kush janë avokatët që rrezikojnë të
Dy avokatë të Dhomës Kombëtare të Avokatisë rrezikojnë humbjen e licencës pasi thyen bojkotin. 

Mësohet se Lefter Xhengo, avokati kryesisht i Leli Kajës, dhe Jurgen Gjoci, avokati i Greta Gjocit janë thirrur në orën 12:00 në një mbledhje urgjente të Komitetit Disiplinor. 

Lefter Xhengo theu sot bojkotin, duke marrë pjesë në seancën për masën e sigurisë ndaj administratorit të Inceneratorit të Elbasanit, Leli Kajës. Në rast se seanca e sotme nuk do të zhvillohej, Leli Kaja do lirohej pasi do të përfundonte afati i hetimit. 

Nga ana tjetër, Jurgen Gjoci mori pjesë në seancën e 8 tetorit, për Greta Gjocin, gruaja që u dërgua bashkë me foshnjën në burgun e Pojskës. Avokati mori pjesë në seancë në mënyrë që gruaja të lirohej dhe të mos shkonte në burg me fëmijën e mitur. Ai e argumentoi thyerjen e bojkotit për arsye humane.  

Dhoma Kombëtare e Avokatëve njoftoi bojkotin e të gjitha seancave të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në shenjë proteste ndaj rregullores së GJKKO-së, për të cilën avokatët pretendojnë se cenon ushtrimin e profesionit të tyre. 

Ndërkohë, më 8 shtator, kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia deklaroi se të gjithë avokatët që do dalin kundër bojkotit, do të procedohen nga Komiteti i Disiplinës, duke rrezikuar edhe heqjen e licencës.  

Deri më tani, GJKKO ka vendosur gjoba me vlerë 50 dhe 60 mijë lekë, ndaj avokatëve të cilët nuk paraqiteshin në seanca./ Shekulli

 

ME TE LEXUARAT