Avokatët e Thaçit kundër mënyrës së llogaritjes së paraburgimit, çështja shkon në apel

Kosovë&Rajon

Avokatët e Thaçit kundër mënyrës së llogaritjes
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin e Gjykatës Speciale lidhur me mënyrën e llogaritjes së dënimit prej 17 muajsh burgim, të shqiptuar ndaj tij në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në një shkresë të dorëzuar më 23 nëntor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon, ka bërë të ditur se rezervojnë të drejtën për ta kundërshtuar para Dhomës së Apelit vendimin e gjykatësit lidhur me vuajtjen e njëkohshme të dënimeve në rastet 06 dhe 12, si dhe llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim.

Në vendimin e datës 17 nëntor 2026, Gjykata e Hagës e ka shpallur Thaçin fajtor për disa vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe e ka dënuar me 17 muaj burgim.

Në vendimin e tij, gjykatësi kishte deklaruar se nuk konsideronte që koha e kaluar në paraburgim nga Thaçi, në bazë të dy fletarrestimeve të ndara, mund të llogaritej për dy dënime të shqiptuara për vepra që nuk kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën.

Mbrojtja e Thaçit në shkresën e publikuar potencon se po t’i ishte llogaritur Thaçit koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në Rastin 12, dënimi prej 17 muajsh do të konsiderohej tashmë i vuajtur dhe ai do të ishte liruar.

“Po t’i ishte njohur z. Thaçi koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në Rastin 12, dënimi i tij në këtë rast do të konsiderohej i vuajtur dhe ai do të ishte liruar”, thuhet në argumentimin e avokates Menegon.

Avokatja e Thaçit për rastin e dytë, ka theksuar se, për momentin, nuk kanë ndërmend të paraqesin parashtrime të veçanta lidhur me vazhdimin e paraburgimit të Thaçit, por kanë rezervuar të drejtën për ta apeluar Aktgjykimin, përfshirë vendimin për mosllogaritjen e njëkohshme të dënimeve dhe çështjen e kreditimit të kohës së kaluar në paraburgim.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion