"Pse doni t'i rrisni prapë taksat?" Debate të forta tek Shëndetësia, opozita largohet në mes të mbledhjes

Mbledhja e Komisionit për Shëndetësinë Sociale është zhvilluar me debate të forta ditën e sotme, pasi pritej të shqyrtohej buxheti i vitit 2027.
Shkak janë bërë akuzat e ngritura nga opozita në adresë të qeverisë, për keqmenaxhimin e fondeve publike. Temë diskutimi është bërë dhe protesta, e po ashtu përplasja e krijuar mes kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ministrit të Drejtësisë Toni Gogu. Pas debateve, kryetari Bardh Spahia është larguar nga mbledhja, duke njoftuar se ajo ëhstë e mbyllur.
Pjesë nga debati:
Bardh Spahia: Është absurde të ulesh e të pretendosh e të diskutosh për një buxhet i cili mbart në vetvete vetëm interesin e një grusht njerëzish, të cilët kanë vendosur që nëpërmjet parave publike, parave të qytetarëve shqiptarë të mbushin xhepat e tyre me qindra e miliona euro, që tjetërsohen.
E në vend që të sigurojnë shërbime, pajisje, trajtime jetike për popullin shqiptar, sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve shqiptarë. E kemi parë se si është hartuar apo konceptuar ky projektbuxhet, pa asnjë lloj konsultimi. E kemi parë dhe te paketa fiskale që u prezantua nga kryeministri, e cila është kthyer në një barrë të madhe e të rëndë për qytetarët shqiptarë.
Erisa Xhixho: Janë blerë nja 4 bote uji me urgjencë për të shpërndarë protestuesit. Këto 4 bote uji nga mbinë? Apo kanë lekë shteti për të shpërndarë protestuesit, për pensione, për atë PET scan-in, për mbështetje për studentët, nuk ka ky shtet. Gjithashtu dronë, ça janë këto dronë?
Dronë keni blerë, dronë pa vulën e Policisë së Shtetit që vijnë vërdallë e identifikojnë protestuesit.
Shkon ministri i Shëndetësisë pa urdhër, pa gjë, shkon e shantazhon aty, i thotë dhe mik i Erion Velisë. Këtu duhet të ketë një hetim të plotë të gjithë ngjarjes, të shantazhit, të gjuhës mafioze që ju përdorni. Dhe në fakt ato mesazhe treguan që këtu kemi 1 mafie që ka kapur shtetin dhe kjo është axhenda nr. 1 e këtij parlamenti, nuk ka asnjë axhendë tjetër. Ju duhet të reflektoni, të distancoheni nga ky kryeministër që drejton 1 organizatë kriminale, që e ka kthyer tërë në një lavatriçe të pastrimit të parave. Nuk mund të vazhdojë në normalitet ky parlament që bën gjoja sikur diskuton buxhetin, paketën fiskale.
Ky buxhet i 2027 është buxhet që duhet të hakmerret ndaj protestuesve, rrisni taksën, rrisni TVSH-në në 21%, rrisni tatimfitimin, rrisni dividendin. Po a e dini që jeni në suficit? 52% të parealizuara shpenzimet në Bashkinë e Tiranës, mos flas për suficit janar-shtator që jeni miliona euro në suficit. Pse doni t’i rrisni prapë taksat? Për çfarë? Për t’i vjedhur në megaafera korruptive?
Bardh Spahia: Edhe pse dëgjova nga kolegët e mazhorancës të shqetësuar për dhunën ndaj institucioneve.
Eduart Shalsi: Po dëgjoni 2 fjalë, pse keni frikë? Ke akoma.
Bardh Spahia: Nuk ka vend në këtë komision për propagandë të dalë boje, në vend t’i kishin harxhuar lekët për makinat e ujit për jetën e qytetarëve.
Eduart Shalsi: Vazhdoni, rrugë të mbarë. Keni çuar në kufijtë e komikes sjelljen tuaj.
Bardh Spahia: Mbledhja konsiderohet e mbyllur me rregullore, pastaj merrni ju vendimin për ta rifilluar, por konsiderohet e mbyllur kur ngrihet kryetari.


