Protesta kundër qeverisë hyn në ditën e 179-të, qytetarët bëjnë thirrje për mobilizim mbarëkombëtar më 28 nëntor

Protesta kundër kryeministrit Edi Rama ka hyrë sot në ditën e saj të 179-të, ndërsa qytetarët vijojnë qëndresën në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Pas afro gjashtë muajsh protestash të përditshme, pjesëmarrësit shprehen të vendosur për të mos u tërhequr nga kërkesat e tyre, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te protesta mbarëkombëtare e paralajmëruar për 28 nëntor, në Ditën e Pavarësisë.
Me vetëm tri ditë të mbetura nga protesta e paralajmëruar, qytetarët kanë intensifikuar thirrjet për mobilizim dhe pjesëmarrje sa më të gjerë.
Synimi i protestuesve është që reagimi qytetar të mos mbetet i kufizuar vetëm në kryeqytet, por të përfshijë qytetarë nga të gjitha trevat e vendit, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive politike.
Protestuesit e konsiderojnë 28 nëntorin një moment të rëndësishëm për zgjerimin e lëvizjes së tyre, ndërsa kërkesa kryesore mbetet largimi i Edi Ramës dhe i qeverisë së tij.
Në ditën e 179-të të protestës, qytetarët ritheksojnë se qëndresa nuk do të përfundojë me tubimin e 28 nëntorit, por do të vijojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.


