Zgjedhjet në PD, Jemin Gjana pranon parregullsitë: Ka anëtarë që s'kanë patur emrin në listë

Kreu i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana ka bërë bilancin e incidenteteve të ndodhura deri më tani gjatë procesit të zgjedhjeve apo të numrit të personave që kanë votuar. Kur kanë mbetur më pak se dy orë nga mbyllja e procesit të votimeve, Gjana tha para gazetarëve se deri më tani kanë votuar 33 mijë e 47 anëtarë ose 44%.
Ai tha më tej se në Kombinat ka shkuar një person që ka dashur të votojë me pajisje, por që më pas është larguar, Ndërsa në Sarandë tha se ka pasur problematika të vogla.
“Ka një lëvizje pozitive të shifrave. Me të dhënat e orës 16.00 pasdite, numri i votuesve në shkallë vendi është 33 mijë e 47 anëtarë e barabartë me 44% të votuesve. Tirana ka 9 mijë e 821 anëtarë që kanë marrë pjesë në votim, në raport me 21 mijë anëtarë që ka Qarku i Tiranës, pjesëmarrja e votuesve në Tiranë është diku tek 46%. Nuk kemi probleme të tjera në vazhdim.
Në 3-4 orët e fundit nuk ka patur më lëvizje të përfaqësuesve, nuk janë ndryshuar më. Dua t’ju bëj me dije edhe dy verifikimet që ne bëmë. Në Kombinat është paraqitur një, që me këto “Faceboook”-et na del një emër i njohur, nga këto mediat investigative, që ka shkuar, ka tentuar të votojë me pajisje. Është larguar në punë të vet. Shpresoj të mos ketë shkuar në ndonjë vend tjetër. Ndërkohë, që nga një nga përfaqësuesit e kandidatëve morëm një informacion që tre votues që kanë votuar në Sarandë, kanë votuar njëkohësisht edhe në Vlorë dhe në Gjirokastër. Nuk është e vërtetë, nuk rezulton që kanë votuar në Vlorë dhe në Gjirokastër.
Kanë votuar vetëm në Sarandë. Tani po i kthejmë edhe përgjigjen zyrtare përfaqësuesit të kandidatit që na përcolli shqetësimin.
Në përgjithësi janë lejuar të votojnë, pa i penguar. Kur kemi mbajtur një qëndrim edhe në udhëzimet që kemi shkruar. Sepse pashë që zonja Konjari që ishte e pezmatuar sepse nuk kishte gjetur emrin në listë. Është e vërtetë që ka njerëz, aktivistë, anëtar të PD që nuk e kanë emrin në listë për efekt të përpunimit të herë pas here në sistemet e IT të emrave.
Ngaqë e kemi ditur këtë paraprakisht edhe kemi mbajtur këtë qëndrim; që nëse nuk rezulton emri në listë por disponon një kartë anëtarësie të mund të votosh me kartë anëtarësisë. Natyrisht u kërkojmë ndjesë që janë detyruar të votojnë kundrejt kartës së anëtarësisë sepse nuk kanë patur emrin në listë, por janë pengesa ose janë lëvizje të paqëllimshme, duke qenë të paqëllimshme prandaj kemi krijuar edhe një hapësirë tjetër në udhëzime. Sepse po të ishte një lëvizje, një heqje e qëllimshme, nuk u jepnim mundësinë që të votonin me kartën e identitetit dhe i pengonin. Nuk ka patur asnjë tentativë dhe asnjë qëllim për t’i penguar.”- tha Gjana më tej.


