Përfundon punimet Samiti për Ukrainën, Rama krah Zelenskyt në foton familjare

Pas gati 1 orë punime, ka përfunduar samiti në ndër të Ukrainës, që po mbahet në Tiranë. Pas daljes nga salla e Pallatit të Kongreseve, liderët bënë një foto familjare.
Kryeministri Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy u vendosën në qendër të fotos, ndërsa Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u rreshtua krahë Ramës, me Vuçiç që u vendos krahë Zelenskyyt.
Pas shkrepjes së fotos liderët janë futur sërish brenda ambienteve të Pallatit të Kongreseve, ndërsa pritet që në vijim Rama dhe Zelenskyy të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.
Propozimi/ Zelensky gati të bashkojë “forcat” me Ballkanin: Të krijohet forumi për Mbrojtjen

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka propozuar gjatë fjalës hapëse në samitin për Ukrainën në Tiranë që të krijohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes vendit të tij dhe Ballkanit.
Zelensky u shpreh se Ukraina dhe vendet e Ballkanit meritojnë të jenë pjesë e komunitetit evropian dhe atij euroatlantik.
“Ne besojmë se respekti për çdo komb dhe e drejta për të pasur siguri duhet të jenë parime universale. Të gjitha këto përmes bashkëpunimit tonë. Ne besojmë se çdo shtet në BE që ruan parimet e komunitetit evropian dhe dëshiron të bëhet anëtar i komuniteteve meriton anëtarësimin e plotë. Ukraina mbështet përpjekjet tuaja për integrimin evropian dhe u jemi mirënjohës për mbështetjen që na jepni neve për integrimin evropian. Ne të gjithë meritojmë të jemi pjesë e komuniteteve evropiane dhe euroatlantike.
Gjatë kësaj lufte ne kemi vërtetuar se është e mundur t’i bësh ballë dhe të fitosh mbi një armik që duket si një nga më të fortët në botë. Çdo komb mund t’ia dalë përmes bashkëpunimit mes vendeve. Ne propozojmë që këto përpjekje tonat të gërshetohen dhe të fuqizohen.
Jemi krenarë që kemi rreth 500 kompani në fushën e mbrojtjes që operojnë në Ukrainë, por kjo nuk mjafton të fitojmë mbi Putinin. Ne shohim probleme në ofertën sa i përket municioneve, ndaj jemi të interesuar në bashkëprodhimi ne municioneve me ju. Ekipi ynë do të prezantojë detajet dhe propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit”, u shpreh ai.
“Lufta nisi si një ëndërr e vjetër perandorake”, Rama: Putin donte të fshinte nga harta Ukrainën

Kryeministri Edi Rama ka çelur Samitin për Ukrainën që po mbahet në Pallatin e Kongreseve.
Në fjalën e tij hapëse, Rama tha se lufta e Rusisë është një katastrofë, teksa shtoi se Putin nuk ia ka dalë të triumfojë deri më tani. Kryeministri theksoi se Shqipëria kërkon një paqe që respekton pavarësinë e Ukrainës.
“Kjo është një luftë që as Ukraina dhe as bashkësia jonë e kombit me të njëjtin qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga vendimi i një njeri, i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake. Kjo shtë një luftë që as Ukraina e as bashkëshia e Kombeve nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga një ëndërr e vjetër e një ëndrre perandorake.
Ai nuk ja ka dalë, pavarësisht fuqisë e propagandës, Rusia nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit ukrainas, nuk ia ka dalë të shtyptë të vërtetën. Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta për çështje ditësh, por nuk është sot më shumë se kurrë e ankoruar në Europë. Hedh sytë rreth kësaj tryeze, të gjithë ne këtu në BP jemi bërë bashkë për të paktën 1 dekadë për të folur për sfidat tona, për të planifikuar të ardhmen tonë”, tha Rama në fjalën e tij.
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, mikpritën së bashku, liderët pjesëmarrës në Samitin “Ukrainë-Europa Juglindore”, i cili zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë.
Ky takim me rëndësi të posaçme mbledh në një tryezë diskutimi liderët: Borjana Krišto, Kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Herzegovinës; Maia Sandu, Presidente e Moldavisë; Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës; Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut; Aleksandar Vučić, President i Serbisë; Andrej Plenković, Kryeministër i Kroacisë dhe Jakov Milatović, President i Malit të Zi – për të dëshmuar edhe njëherë vlerat e përbashkëta të vendeve në mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Ukrainës.
Samiti për Ukrainën, Vuçiç në Pallatin e Kongreseve, pritet nga Rama dhe Zelensky

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky.
Samiti për Ukrainën në Tiranë, Rama dhe Zelensky presin liderët e Ballkanit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, ku do të mbahet samiti Ukrainë-Evropa Juglindore.
Zelensky u prit nga kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverisë shqiptare do të presë liderët dhe më pas do të mbajë një fjalë publike me Zelenskyn.
Samiti për Ukrainën në Tiranë, Zelensky nderon Ramën me Urdhrin e Princit ‘Jaroslav i Urti’

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nderuar kryeministrin Edi Rama me dekoratën më të lartë Urdhrin e Princit ‘Jaroslav i Urti’.
Teksa ndodhet në Tiranë, Zelensky i dorëzoi Ramës dekoratën të cilën e ka nënshkruar që në dhjetor të muajit 2023, ndërsa zgjodhi që t’ia dorëzojë kreut të qeverisë vetë personalisht në këtë samit.
Motivacioni për nderimin e kryeministrit Edi Rama është: “Për një kontribut të rëndësishëm personal në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës, popullarizimin e shtetit ukrainas në botë”.
Zelensky në Tiranë, firmoset traktati i miqësisë mes Shqipërisë dhe Ukrainës

Shqipëria dhe Ukraina kanë firmosur traktatin e miqësisë.
Firmosja e traktatit u bë në Kryeministri, nga kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama dhe presidenti ukrainas, Volodymy Zelensky.
Rama dhe Zelensky do të hapin samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, që pritet të nisë në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, me një fjalim, ndërsa më pas punimet do të jenë me dyer të mbyllura.
Në orën 13:30 është parashikuar një konferencë për shtyp e Ramës dhe Zelenskyt, ku do t’ju përgjigjen interesit të gazetarëve.
Vizita e Zelenskyt/ Snajperë në tarracat e godinave, në Tiranë dhe forcat e sigurisë ukrainase

Vizita e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në Tiranë është organizuar nën masa të rrepta sigurie.
Mbi 1600 efektivë policie janë në terren, mes tyre edhe forcat e RENEA-s dhe Forca Kombëtare e Sigurisë. Ata u janë bashkëngjitur forcave të sigurisë ukrainase që janë në gatishmëri për të siguruar mbarëvajtjen e të gjithë takimit dhe samitin. Mësohet se mes autoriteteve të sigurisë ka pasur komunikime të mëparshme për masat e sigurisë.
Ndërkohë ka dhe snjaperistë lart mbi godinat e institucioneve.
Zelensky ka zbritur në aeroportin “Nënë Tereza’ në Tiranë me një avion Airbas A 310 mbrëmjen e djeshme, ku u prit nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani.
Zelensky është pritur dhe shoqëruar nga Rinasi për në Tiranë nga një super eskortë me dhjetëra makina policie, numri i saktë i tyre nuk tregohet për çështje sigurie.
Rama i tregon zyrën Zelenskyt, dhurata e veçantë që i bëri presidentit ukrainas

Kryeministri Edi Rama ka pritur në kryeministri presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Kreu i qeverisë i ka dhuruar atij edhe një dhuratë, një libër të tij me piktura.
Zelensky do të marrë pjesë në samitin për Ukrainën që pritet të nisë punimet në orën 11:00.
Samiti për Ukrainën, Zelensky mbërrin në Kryeministri, pritet nga Rama

Kreu i qeverisë, Edi Rama ka pritur mëngjesin e kësaj të hëne, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Kryeministri.
Të dy liderët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë. Më pas, do të vijojë një takim mes delegacioneve respektive që do të mbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve.
Rama dhe Zelensky do të hapin samitin, që pritet të nisë në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, me një fjalim, ndërsa më pas punimet do të jenë me dyer të mbyllura. Në orën 13:30 është parashikuar një konferencë për shtyp e Ramës dhe Zelenskyt, ku do t’ju përgjigjen interesit të gazetarëve.
Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që u rreshtuan në krah të Ukrainës kur nisi pushtimi rus. Po ashtu, Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm dy vitet e fundit kur ishte anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Ukrainës.
Zelensky në Tiranë, kush janë liderët që do t'i bashkohen Samitit, zbardhet agjenda e takimeve

Tirana mirëpret sot Samiti Ukrainë-Europa Juglindore që nis në ora 11:00. Për këtë samit, në Tiranë për herë të parë ka ardhur edhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili u prit mbrëmjen e djeshme në aeroport nga ministri i Jashtëm Igli Hasani.
Liderët që do marrin pjesë në samit janë:
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky
Presidentja e Moldavisë Maia Sandu
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski
Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo
Kryeministri kroat, Andrej Plenkovic.
AGJENDA
E mërkurë, 28 shkurt
09.00 – Presidenti Zelenskyy do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.
Mediat do të kenë akses në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Këshillit të Ministrave.
09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelenskyy.
9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.
Pamjet dhe fotot e takimeve do të shpërndahen për median në kanalet zyrtare të komunikimit dhe platformat e tjera sociale.
10.10 – Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës
Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale
11.00 – Doorstep dhe mbërritja e liderëve ( Pallati i Kongreseve)
Akses të gjithë mediat, përpara Pallatit të Kongreseve
11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.
Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale
13:00 – Foto Familjare
Të gjitha mediat
13.30 – Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.