Analiza/ A ia vlen të blesh një shtëpi për ta dhënë me qira në Tiranë?

Aktualitet

Analiza/ A ia vlen të blesh një shtëpi për ta

Tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme në përgjithësi ofron kthime modeste nga blerja e pronave për qiradhënie. Megjithëse çmimet e qirave në vitet e fundit janë rritur, duke ndjekur tendencat në rritje të çmimeve të shitjes dhe të shtyra sidomos nga kërkesa në rritje për qira ditore që ka sjellë turizmi, masa e kthimit nga investimi ngelet e dobët në raport me standardet referuese të kthimit nga investimi në prona.

Sipas të dhënave të AirDNA, për 6-mujorin 2026 e ardhura mujore nga qiradhënia për pronat e listuara në AirBNB në Tiranë ishte 765 euro në muaj ose 9180 euro në vit, në terma bruto.

Ndërkohë, sipas indeksit Keydata Albania, çmimi mesatar i shitjes në Tiranë në mesin e këtij viti ka arritur në 2100 euro për m2.

Në rast se vlerën e një apartamenti e llogarisim për një sipërfaqe mesatare, prej rreth 80 m2, çmimi i blerjes do të rezultonte rreth 168 mijë euro (pa llogaritur shpenzimet e mobilimit).

Mbi këto shifra, kthimi vjetor nga qiraja rezulton rreth 5.5%, por gjithmonë i vlerësuar në terma bruto. Nëse do të merrnim parasysh shpenzimet e mobilimit të banesës dhe më tej të mirëmbajtjes, taksat, kostot, si edhe amortizimin e ndërtesës dhe mobilimit, kthimi neto do të ishte ndjeshëm më i ulët se 5%.

Mbi shifrat e mësipërme, koha e kthimit bruto nga investimi nëpërmjet qiradhënies do të ishte minimalisht 19 vjet. Sipas standardeve globale, koha optimale e kthimit nga investimi në një pronë nëpërmjet qiradhënies është 12 deri në 15 vjet.

Bazuar në vlerësimet e mësipërme, mund të arrihet në konkluzionin se kthimi nga qiradhënia në tregun e banesave në Shqipëri nuk është shumë tërheqës.

Për krahasim, aktualisht yield-i i obligacioneve 20-vjeçare të qeverisë shqiptare është 6.5%, ndërsa ai i obligacioneve 15-vjeçare është 6.22%, me tendencë në rritje.

Yield-et e instrumenteve financiare me rrezik zero janë më të larta se kthimi mesatar bruto nga investimi nëpërmjet qiradhënies së një banese./Monitor/

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion