Yuri Kim merr detyrën e rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit!

Politikë

Yuri Kim merr detyrën e rëndësishme në Departamentin

Ish-ambasadorja Yuri Kim ka marrë detyrën e rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit, në postin e Këshilltares së Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi.

Lajmi vjen pasi Kim u hoq nga roli i saj si Zëvendës Ndihmëse Sekretare kryesore e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.

Disa ditë pasi profili i saj u fshi në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit, Kim mësohet se prej 1 marsit ka marrë detyrën e re dhe biografia e saj është përditësuar, tashmë me një profil të ri në DASH.

Njoftimi i DASH:

Yuri Kim është Këshillare e Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Më parë, ambasadorja Kim ishte Zëvendës Ndihmës Sekretare Kryesor i Byrosë nga viti 2023 deri në vitin 2025.

Një diplomate karriere, ambasadorja Kim ka punuar në sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në Europë, Azi dhe Lindjen e Mesme.

Ajo ishte ambasadore e SHBA në Republikën e Shqipërisë nga viti 2020 deri në vitin 2023, e emëruar nga Presidenti Trump dhe në vazhdim nën Presidentin Biden.

Para kësaj, ajo ishte drejtore e Çështjeve të Europës Jugore, përgjegjëse për Turqinë, Greqinë, Qipron dhe rajonin e Mesdheut Lindor; drejtore e Qendrës për Studimin e Sjelljes së Diplomacisë; dhe drejtore e Zyrës së Sigurisë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake, përgjegjëse për NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Ajo ishte Shefe e Shtabit të Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe, më herët në karrierën e saj, Asistente Speciale e Sekretarit Colin Powell.

Ajo ishte gjithashtu një anëtare e delegacion të SHBA në Bisedimet Gjashtëpalëshe për çështjen bërthamore të DPRK-së.

Detyrat jashtë shtetit përfshijnë Turqinë, Irakun, Republikën e Koresë, Japoninë dhe Kinën. Yuri Kim ka një B.A. nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një M.Phil. nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo u rrit në ishullin Guam.

ME TE LEXUARAT