Rrjeta e dopingut që “djeg” sportistët / Si u lidh arrestimi i vëllait të Pirro Dhimës me skandalet e peshngritjes shqiptare

Sport

Rrjeta e dopingut që “djeg” sportistët / Si u lidh

Arrestimi i Odise Dhimës, vëllait të kampionit olimpik Pirro Dhima, ka rikthyer në vëmendje raste të vjetra dopingu që kanë shkaktuar reagime të forta në Shqipëri, si dhe përplasje të ashpra midis federatave të peshëngritjes të dy vendeve.

Odise Dhima kishte drejtuar një qendër sportive në rajonin e Atikës, ku stërviteshin peshëngritës të ndryshëm (përfshirë djalin e tij të mitur), përpara se të arrestohej pak ditë më parë. Në atë palestër janë përgatitur atletë të shumtë shqiptarë, të cilët pas garave kanë rezultuar pozitivë në testet e dopingut, duke dorëzuar medaljet dhe duke u penalizuar deri në mbylljen e karrierës.

Dy rastet e rënda me sportistët shqiptarë

Ishte maji i vitit 2022 kur emri i trajnerit Odise Dhima u vu në qendër të diskutimeve në vendin tonë. Arsyeja ishin akuzat publike të bëra nga presidenti i atëhershëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili e kishte përmendur atë si njeriun që dyshohet se i kishte dhënë substanca të ndaluar kampiones Evangelia Veli.

Atletja 35-vjeçare, e cila garoi në kategorinë 53 kg, rezultoi pozitive për stanozolol, duke u pezulluar nga të gjitha aktivitetet garuese deri në korrik të vitit 2027. Rasti mori përmasa të mëdha, pasi Veli kishte shënuar arritje të rëndësishme në nivel evropian, ndërsa për shumë vite kishte jetuar dhe stërvitur në Greqi nën udhëzimin e Odise Dhimës.

Nga ana e tij, kampioni olimpik Pirro Dhima — i cili në atë kohë mbante pozicionin e nënkryetarit të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes — deklaroi në një intervistë për një rrjet televiziv shqiptar se do të ndërmerrte veprime ligjore në lidhje me akuzat që preknin familjen e tij. Megjithatë, përballja nuk u kufizua vetëm tek individët; akuzat nxitën tension mes federatave greke dhe shqiptare, duke e zgjeruar debatin në arenën ndërkombëtare.

Në vitin 2014, gjatë skualifikimit të saj të parë, edhe Romela Begaj ishte stërvitur në Athinë. Ajo u skualifikua dy herë gjatë karrierës për përdorim të substancës stanozolol, me periudha të ndryshme përgatitjeje përpara secilit rast. Përpara Botërorit të Almatisë në nëntor 2014, Begaj kishte kaluar një cikël katërvjeçar duke u stërvitur në Athinë nën drejtimin e ish-kampionit olimpik Luan Shabani (Leonidas Sabanis).

Sportistë të tjerë me tituj të shumtë ndërkombëtarë, si Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, janë stërvitur dhe janë skualifikuar pas garave për përdorim të substancave të ndaluara, ndërkohë që gjithmonë kanë pretenduar se nuk kanë pasur asnjë dijeni. Nga ana e saj, Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka aluduar se rastet e sportistëve mund të kenë qenë të qëllimshme për të dëmtuar imazhin e sportit shqiptar, duke drejtuar gishtin nga vëllezërit Dhima që operojnë në strukturat sportive greke.

Pas shpërthimit të skandalit, mediat helene raportuan se Pirro Dhima kishte dhënë dorëheqjen nga pozicioni i këshilltarit në Ministrinë e Sporteve, një dorëheqje që megjithatë nuk u pranua. Ndërkohë, nga paraburgimi, Odise Dhima i kërkoi falje vëllait të tij, duke u shprehur se e kishte vënë në një pozitë të vështirë: “I kërkoj falje vëllait tim Pirro Dhima dhe familjes sime”.

Arrestimi i Odise Dhimës dhe hetimet aktuale

Vëllai i ish-kampionit olimpik, trajneri Odise Dhima, u arrestua në Greqi me akuzën e furnizimit të sportistëve me substanca të ndaluara dopingu. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë dhe në ambientet sportive, autoritetet gjetën dhe sekuestruan:

871 tableta dhe ampula dopingu;

17 karta sportistësh;

Shënime të ndryshme dhe 15 mijë euro cash.

Gjatë hetimeve u zbulua gjithashtu se ai kishte administruar substancën e ndaluar oksandrolon (sipas listës së WADA-s) edhe ndaj djalit të tij të mitur, një shkelje për të cilën ishin dënuar më parë nga organet disiplinore sportive.

Gjatë marrjes në pyetje, trajneri i peshëngritjes pretendoi para policisë se steroidet anabolike ishin për përdorim personal dhe se 17 kartat e atletëve ishin të vjetra e të skaduara. Megjithatë, shumica e kartave rezultojnë të viteve 2024 dhe 2025, të regjistruara në Klubin Atletik "Pyrros" të Glyfadas, në pronësi të vëllait të tij, Pirro Dhima. Policia dyshon se i pandehuri po stërviste atletë të klubit në mënyrë të paautorizuar brenda mjediseve të tij private.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion