"SPAK të verifikojë pasuritë e politikanëve", çfarë thotë Rama për propozimin e Bashës

Kryeministri Edi Rama komentoi propozimin e Lulzim Bashës për vetingun e politikanëve, duke u shprehur i gatshëm për diskutime. Basha sot u shpreh se një nga amandamentet që PD do të dorëzojë në Kuvend është verifikimi i pasurisë së politikanëve nga SPAK.
Kreu i qeverisë tha se opozita nuk mund të kushtëzojë vetingun e politikanëve si dhe reformën zgjedhore e territoriale me zgjatjen e afatit për organet e drejtësisë.
Pjesë nga intervista
Vetingu për politikanët. Në 2018 nuk e keni miratuar, çfarë do ndodhë tani?
Rama: Nuk kemi pse të themi çfarë do ndodhë që në momentin e parë. Nuk e kisha dëgjuar. Nuk jemi këtu për të dhënë përgjigje çfarë do ndodhi.
A jeni i hapur ta diskutoni?
Rama: Po patjetër.
Nëse i kushtëzon tre reformat me vetingun tjetër?
Rama: Jo. Këto janë të ndara. Ai i madhi nuk është për tu kushtëzuar. Nuk kemi çfarë negociojmë. Është domosdoshmëri për përfundimin e procesit.
Ai është një veting për tu përfunduar, jo për tu negociotuar. Këtu jemi katër, janë SHBA-të, BE, opozita dhe qeveria. Jemi në një reformë ku që në momentin e parë kemi qenë me aleatët strategjikë.
Reforma zgjedhore. Basha ka kërkuar një reformë të re zgjedhore?
Rama: Për tu ulur jemi të gatshëm për gjithçka që nuk është një çështje e brendshme e PD.
Edhe bashkëqeverisja çështje e brendshme është?
Rama: Nuk mund të jetë dot e brendshme.
Latë të kuptohet që ka një dëshirë, por nuk e ka merituar…
Rama: Jo. Ky është intepretimi i dikujt që e sheh me skepticizëm lidershipin e opozitës.
Çfarë nënkuptoni me bashkëqeverisje?
Rama: Ajo që unë thashë është që sigurisht në çdo vend demokratik të gjitha opsionet janë të hapura. Nuk ka asnjë problem që ti diskutojmë.
E keni miratimin e socialistëve?
Rama: Nuk jemi në ato kushte.
Jeni i gatshëm të zhbëni ndryshimet kushtetuese?
Rama: Nëse do na bindin që duhet ti bëjmë patjetër. Mbase i bindim ne ata. Duhet të ulemi në tryezë. Rëndësi ka të kemi dialog, gjërat të bëhen me dialog. Dialog jo me ultimatum, me urdhra. Nëse na bindin të gatshëm për të gjitha. Nëse na bindin për vetingun e politikanëve, të na tregojnë shembuj të vendeve të tjera, të gatshëm jemi.
Reforma territoriale. Jeni gati të uleni?
Rama: Po. Unë e dua një ndarje territoriale. Dua të kemi më pak bashki në numër, sepse është më racionale.


