Rama “sfidon” grekët, mesazhi për shqiptarët që do t’i bashkohen më 12 maj në Athinë

Ditën e djeshme u publikua vendi dhe ora ku pritet të zhvillohet takimi i kryeministrit Edi Rama me shqiptarët që jetojnë në Greqi në kuadër të rienergjizimit të Diasporës.
Duke e publikuar në facebook, adresën sallën “Christmas Theatre” në stadiumin Galatsi të Athinës, Rama fton sërish shqiptarët të jenë të pranishëm duke e quajtur këtë si një “moment krenarie”.
“MIRËMËNGJES dhe me ftesën që më në fund ka edhe adresën, duke i ftuar ata ndër ju që janë në Athinë ose rrethina, e që munden ta kalojnë me ne që vijmë nga Shqipëria këtë moment të veçantë krenarie për të gjithë shqiptarët e Greqisë, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Rama.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis deklaroi se Greqi nuk do ta pengojë vizitën e homologut e tij shqiptar Edi Rama në Athinë.
Në një intervistë për mediat vendase, kreu i qeverisë greke theksoi se Rama ka të drejtën e plotë të takohet me bashkatdhetarët e tij, megjithatë e konsideron këtë vizite si të panevojshme.
“Nuk është i ftuar i qeverisë, po vjen për të biseduar me bashkatdhetarët e tij. nuk do ta ndalojmë tubimin, por as nuk do ta lehtësojmë.
Është e drejta e tij, një zgjedhje që më duket mjaft e panevojshme. Vizita është e panevojsshme duke marrë parasysh edhe faktin që vjen në një kohë që nuk janë zhvilluar zgjedhjet parlamentare evropiane. Mirëpo ne kemi demokraci, nuk do ja ndalojmë që të vijë”, ka thënë Mitsotakis.


