Përplasjet me Yuri Kim, vrasja e Xhuvanit dhe hetimi për SMV-në, pse kërkohet shkarkimi i Metës

Politikë

Përplasjet me Yuri Kim, vrasja e Xhuvanit dhe hetimi për SMV-në,

Janë 25 pika ku Komisioni Hetimor do të mbështesë argumentet e tyre sot për t’i kërkuar Kuvendit të votojë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Raporti i Komisionit do të nisë me një përmbledhje ku ceket roli i presidentit Meta gjatë fushatës zgjedhore, që sipas socialistëve ka qenë në funksion të opozitës duke ndërmarrë sulme kundër qeverisë.

Kjo thekson komisioni, ndërhyn dhe shtrembëron procesin e formimit të pavarur të opinioneve të publikut si dhe zhvlerëson rëndë parimin e demokracisë parlamentare. Një pikë tjetër janë thirrjet e presidentit Ilir Meta para zgjedhjeve për të mbrojtur votën e lirë me anë të mjeteve të punës, e cila cilësohet si vepër penale “thirrje publike për veprime të dhunshme”.

Në pikën 13 Komisioni veçon: Neni 266 i Kodit Penal (thirrja për urrejtje nacionale) përcakton se “vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet”.

Gjetjet e Komisionit Hetimor

Sipas Komisionit, në kundërshti me kushtetutën në këto zgjedhje “Presidenti i Republikës bëri fushatë kundër partisë në pushtet, në kapacitetin e tij zyrtar”. Socialistët kanë arritur në përfundimin se Meta ka bërë presion që prokuroria të japë konkluzionet e hetimit para datës së zgjedhjeve dhe është përpjekur të orientojë hetimin vetëm në një drejtim që i leverdiste atij politikisht.

Presidentit Ilir Meta i “faturohet” edhe ngjarja e ndodhur në Elbasan në javën e fundit të fushatës zgjedhore ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, aktivist i PS pas përplasjes me strukturën për Mbrojtjen e Votës të ngritur nga PD për çështje të shitblerje të votës. Kjo sipas Komisionit erdhi pas thirrjeve të presidentit për dhunë, ndërsa kërkohet hetimi i tij nëse ka qenë apo jo i përfshirë në strukturën e opozitës për krijimin e grupit që mbron votën.


“Më datë 21.04.2021 në Elbasan ndodhi një përplasje me dhunë midis dy grupeve simpatizantësh, me pasoja të rënda. Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it e përshkruan kështu ngjarjen: “Një person u vra dhe tre u plagosën. PD-ja kish formuar një grup, të cilin e quante “Struktura për Mbrojtjen e Votës” dhe thonte se përbëhej nga ish anëtarë të policisë së shtetit, të cilëve PD u kish kërkuar të “verifikonin” informacionet për blerje të votës”.

Sipas raportimeve, autori i vrasjes në ngjarjen e Elbasanit ishte i armatosur me armë, pa leje për t’u mbajtur në publik. Ai dhe grupi që e shoqëronte shkaktuan përplasjen në tentativë për të ushtruar autoritet të kundraligjshëm policor. Modus operandi i tyre përputhet plotësisht me thirrjen publike të Presidentit të Republikës për dhunë.

Nëse Presidenti i Republikës ka qenë i përfshirë në platforrmën e opozitës për ngritjen dhe funksionimin e grupit paramilitar të quajtur “Struktura për Mbrojtjen e Votës”, apo jo, kjo është një çështje që vetëm hetimi i organeve kompetente mund ta zbulojë. Por për komisionin hetimor rezultoi e provuar se Presidenti i Republikës ka qenë frymëzuesi publik i dhunës. Ky konkluzion përforcohet edhe nga fakti, se ai për asnjë moment nuk është distancuar dhe nuk ka dënuar jo vetëm vrasjen, por as modelin e kundraligjshëm që përfaqësonte “Struktura për Mbrojtjen e Votës”.

Meta akuzohet edhe për përplasjen në distancë me ambasadoren e SHBA Yuri Kim, që cilësohet si përpjekje për të krijuar krizë dhe incidente diplomatike me SHBA-në.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion