Lirimi i hapësirave publike/ Rama: Kush bën lojën “macja me miun” do ndëshkohet, vjen Rilindja Urbane 2.0

Kryeministri Edi Rama ka dhënë më shumë detaje mbi aksionin për lirimin e hapësirave publike, duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj atyre që sfidojnë rregullat dhe abuzojnë me hapësirat. Në një komunikim të drejtpërdrejtë në Facebook, Rama tha se procesi do të vijojë me durim dhe vendosmëri, duke adresuar çdo rast një nga një, për të mos lejuar asnjë shkelje.
Ai theksoi se shumë persona po luajnë “lojën macja me miun” me autoritetet, duke shtyrë vazhdimisht ndërhyrjen për lirimin e hapësirave, por paralajmëroi se këto praktika do të ndëshkohen fort.
Për të qartësuar më tej rregullat, Rama njoftoi se po hartohet një rregullore kombëtare që do përcaktojë me centimetra kufijtë e hapësirave që subjektet private mund të përdorin në trotuare dhe vende publike. Kjo rregullore do të përcaktojë detyrime dhe ndëshkime të forta për ata që nuk i respektojnë.
Kryeministri njoftoi gjithashtu nisjen e fazës së dytë të “Rilindjes Urbane”, e cila synon transformimin e hapësirave të liruara në ambiente funksionale dhe të bukura për komunitetin. Ai theksoi se këto ndërhyrje nuk janë thjesht një aksion i përkohshëm, por një mënyrë e re bashkëjetese mes qytetarëve dhe autoriteteve, në përputhje me standardet europiane.
Rama përmendi se Tirana dhe qytetet e tjera do të jenë shembuj ku hapësirat publike do të trajtohen si prona të qytetarëve, duke vendosur një kufi të qartë mes interesit publik dhe privat. Ai përfundoi me mesazhin se “nuk jemi në Teheran, por në Tiranë”, duke nënvizuar se nuk ka asnjë sulm ndaj biznesit privat, por vetëm vendosje të rregullave për përdorimin e hapësirave publike.


