Rama: Hapësirat publike në Tiranë janë për qytetarët, jo për shfrytëzim privat

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një komunikim të drejtpërdrejtë në Facebook, ku foli për reformat në qeverisje, integrimin europian dhe ndërhyrjet për lirimin e hapësirave publike në Tiranë dhe qytete të tjera.
Ai theksoi se Shqipëria po përparon në reformat e qeverisjes, duke u krahasuar me vende si Italia, Greqia dhe Lituania, por shtoi se puna nuk është përfunduar dhe kërkon përkushtim të përbashkët për të ngritur standarde europiane.
Rama sqaroi se ndërhyrjet për lirimin e hapësirave nuk janë aksione të përkohshme, por një filozofi e qëndrueshme e qeverisjes, me qëllim vendosjen e rregullave dhe respektimin e të drejtës së përbashkët për hapësirat publike, të cilat janë prona e qytetarëve dhe nuk mund të pushtohen pa leje.
Ai kujtoi angazhimin e tij në këtë fushë që nga koha si Ministër i Kulturës dhe Kryetar Bashkie i Tiranës, duke theksuar se nuk ka nisur tani.
Në përgjigje të kritikave për prishje të iniciativave private, Rama u shpreh qartë: “Nuk jemi në Teheran, jemi në Tiranë. Nuk kemi dalë të sulmojmë kafenetë e restorantet, por të vendosim kufirin: trotuari është për qytetarët.”
Mesazhi i tij ishte i prerë: qëllimi është të ruhet ekuilibri mes interesit publik dhe atij privat, duke mos lejuar shfrytëzime abuzive të hapësirave publike.


