Jo 1 por 3 "gabime", ja pse Basha e shkarkoi Nokën nga Partia Demokratike

Politikë

Jo 1 por 3 "gabime", ja pse Basha e shkarkoi Nokën nga Partia

Flamur Noka është me një këmbë jashtë grupit të PD-së. Mbrëmjen e djeshme Lulzim Basha vendosi që ta shkarkonte nga posti i n/ kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe i dha një paralajmërim për përjashtim nga grupi demokrat. Argumentet e përdorura nga kryedemokrati ishin sipas tij shpifjet dhe sajesat nga Noka, të cilat po dëmtojnë partinë.

“Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama” thuhet në njoftimin e PD-së.

Por si rrodhën ngjarjet brenda një muaji në këtë pikë? Gjithçka nisi nga përjashtimi i Sali Berishës nga grupi i PD-së. Flamur Noka ishte  një nga emrat e parë që doli kundër vendimit individual të Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar.

Por nuk u mjaftua me qëndrimin në grup apo një deklaratë publike. Ish-ministri i Brendshëm u pozicionua hapur në krah të ish-kryeministrit, kundër kryetarit të partisë.

Por duket se tre janë deklaratat e Flamur Nokës që kanë sjellë irritimin e Lulzim Bashës. Menjëherë pas përjashtimit të Sali Berishës, në 13 shtator Flamur Noka publikoi në Facebook vargjet e një poezie, të cilat lanë të kuptohej se armiku ka qenë gjithmonë brenda tyre, duke ju referuar kreut të opozitës, Lulzim Basha.

Jo 1 por 3 "gabime", ja pse Basha e shkarkoi Nokën nga Partia

“Mora pushken dola n’mal,

Te luftoja per atdhe..,

Ku ta dija une i gjori..,

Se armiku ishim …Ne……” shkruante Noka.

Në 20 shtator vjen “përplasja” e dytë. Lulzim Basha doli kundër aksionit të udhëhequr nga Sali Berisha, i cili po mbledh firmat për mbledhjen e forumit më të lartë të PD, duke deklaruar prerë se ai nuk do të lejojë mbledhjen e Kuvendit kombëtar të PD. “Nuk ka dhe nuk do të ketë grupim antiamerikan nën siglën e PD-së. Nuk do të ketë Kuvend të PD-së, që vë në diskutim vendimet e qeverisë amerikane”.

Flamur Noka në grup, por edhe hapur në media i bëri thirrje kryetarit Lulzim Basha që të mos e përdorë çështjen e “antiamerikanizmit”, pasi sipas tij kjo është inekzistente në PD.

Pika që “mbushi kupën” ishte dy ditë më parë. Kryedemokrati, referuar akuzave nga baza kundër tij u shpreh mbrëmjen e së dielës në mbledhjen e grupit se “Qeverisja 8 vjeçare e PD ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin”.

Noka u hodh sërish në sulm. Dje ai u shpreh se deri më sot “askush nuk ka guxuar që ta cilësojë anëtarësinë e partisë si llum”. Sipas tij, kreu Lulzim Basha i ka bërë anëtarësisë dhe elektoratit të PD-së një poshtërim të radhës. Kaq mjaftoi që Lulzim Basha mbrëmjen e djeshme të zhvendosej në kundërsulm duke e shkarkuar nga posti i nënkryetarit të komisionit dhe e paralajmëroi për përjashtim nga grupi i PD-së. Lëvizja duket e qartë, nëse Noka nuk tërhiqet e pret përjashtimit nga grupi i PD-së. /abcnews

ME TE LEXUARAT