“Po përshpejtohet në mënyrë të pakuptimtë”, objekti misterioz po i afrohet Tokës

Një objekt misterioz që lëviz në hapësirë dhe pritet t'i afrohet Tokës gjatë viteve të ardhshme ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve. Arsyeja është përshpejtimi i tij i pazakontë, të cilin studiuesit nuk arrijnë ta shpjegojnë plotësisht përmes forcave gravitacionale.
Objekti, i njohur si 1998 KY26, është konsideruar prej kohësh një asteroid i vogël, me gjatësi rreth 11 metra dhe me një rrotullim të plotë çdo 5.35 minuta.
Aktualisht ndodhet rreth 304 milionë kilometra larg Tokës, por në vitin 2028 pritet të afrohet në rreth 51 milionë kilometra, ndërsa në vitin 2039 distanca mund të ulet në 16 milionë kilometra.
Një studim i ri nga Instituti i Teknologjisë i Xhorxhias ka zbuluar se përshpejtimi i objektit nuk mund të shpjegohet me çlirimin e gazrave nga akulli i fshehur brenda tij.
Sipas studiuesve, objekti është tepër i ngrohtë për të ruajtur akullin e nevojshëm për një proces të tillë.
Por zbulimi ka nxitur një hipotezë edhe më të pazakontë.
Profesori i Harvardit, Avi Loeb, sugjeron se objekti mund të jetë në të vërtetë anija hapësinore sovjetike Phobos 1, e lëshuar në vitin 1988 dhe e zhdukur gjatë misionit drejt Marsit.
Sipas tij, përmasat, shkëlqimi, rrotullimi dhe trajektorja e objektit përputhen me karakteristikat e mundshme të anijes së humbur.
Loeb argumenton se përshpejtimi mund të shkaktohet nga presioni i rrezatimit diellor mbi sipërfaqet metalike dhe panelet diellore.
Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë e pakonfirmuar.
Përgjigjja mund të vijë në vitin 2031, kur sonda japoneze Hayabusa2 pritet t'i afrohet objektit për ta studiuar.


