Himara zyrtarisht me kryebashkiak! Betohet Vangjel Tavo: Sfidat janë të shumta por…

Politikë

Himara zyrtarisht me kryebashkiak! Betohet Vangjel Tavo: Sfidat janë

Vangjel Tavo është betuar ditën e sotme për postin e kryetarit të bashkisë Himarë, pas fitores në zgjedhjet e pjesshme.

Mbledhja u mbajt sot në Këshillin Bashkiak të Himarës, në ambientet e institucionit, ku u ndoqën procedurat protokollare për të zgjedhurit vendorë dhe Tavo u betua para anëtarëve mbi Kushtetutë. Para godinës së Bashkisë Himarë ishin mbledhur prej mëngjesit të sotëm përfaqësuesit e këshillit nga të gjitha palët politike, që ndoqën më tej edhe ceremoninë e betimit.

Pas betimit, Tavo u shpreh se sfidat komunitare janë të shumta në Bashkinë Himarë, por me besim, me punë dhe vullnet shtoi ai gjithçka mund të realizohet.

“Sfidat janë të shumta, problematiket janë nga më të ndryshmet në të gjithë sektorët e jetesës komunitare, por nga përvoja ime, kam mësuar se kur ekziston vullneti dhe dëshira, çdo gjë mund të realizohet”, tha ai.
Më 12 shtator KQZ certifikoi mandatin e Vangjel Tavos si kryebashkiak në Himarë. Tavo do të ushtrojë mandatin e tij për 3 vite, deri në 2027 kur mbahen zgjedhjet e radhës lokale. Tavo fitoi me diferencë rreth 1500 votash ndaj rivalit të tij opozitar Petro Gjikuria, në zgjedhjet e pjesshme lokale të 4 gushtit.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të votave të 36 qendrave të votimit Vangjel Tavo mori 5022 vota (58,62%) kundrejt 3545 votave (41,38%) të Petro Gjikuria, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë”.

ME TE LEXUARAT