Debati për emërimin e kryetares të bashkisë Tiranë, Veliaj: Firmosa një ridelegim me idenë e gabuar se ishte...

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar pas kritikave në rrjet në lidhje me emërimin e kryetares në detyrë të bashkisë së Tiranës.
Pas shkarkimit të Anuela Ristanit, kryebashkiaku ka vendosur ta rikthejë sërish atë në krye të këtij institucioni, pasi siç shprehet, kishte bërë një ridelegim te Sara Goxhajt, por që ishte i gabuar, pasi ky emër nuk ishte dakordësuar me ekipin drejtues
"U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.
E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi", shkruan Veliaj.


