“Do bëhesha ‘Big Bos’ me mbi 100 mln”, Dumani tregon tentativën e vrasjes së kunatit të motrës së Mir Haxhisë!

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka vijuar dëshminë e tij në GJKKO për dosjen “Plumbi i Artë”, teksa ka zbardhur të tjera detaje nga ngjarjet kriminale të kryera nga ai dhe në bashkëpunim.
Dumani dha detaje për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, por tregoi dhe një tentativë vrasjeje ndaj kunatit të motrës së Besmir Haxhisë. Ai ka dëshmuar se për këtë ngjarje, pjesë e planit ishin Dashnor Dumani, Altin Ndoci, ky i fundit do të ishte ekzekutori. Dumani thotë se edhe për këtë vrasje është përdoru e njëjta makinë që u përdor për ekzekutimin e Andi Zylyfit.
Dumani ka rrëfyer se për të kryer vrasjen, Dashnor Dumani dhe Altin Ndoci, do të merrnin 60 mijë paund, ndërsa vetë ai do shërbente si pritës. Ai shtoi se në atë periudhë, ishte në gjendjen e të parit, teksa bëri dhe batuta duke thënë që ishte “Jo Bos”, pasi “Big Bosi” duhet të kishte mbi 100 milionë.


