Berisha: Qeveria shpenzoi mbi 500 milionë euro për të ndikuar zgjedhjet e 11 majit

Politikë

Berisha: Qeveria shpenzoi mbi 500 milionë euro për të ndikuar

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se ka përdorur në mënyrë të paligjshme mbi gjysmë miliard euro gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të 11 majit 2025.

Sipas tij, fondet publike janë shpërdoruar për aktivitete, tendera dhe ngjarje të cilat kanë pasur ndikim direkt te votuesit, në kundërshtim me nenin 91/3 të Kodit Zgjedhor që ndalon përdorimin e burimeve shtetërore gjatë periudhës zgjedhore.

“Në periudhën janar deri më 11 maj janë zhvilluar mbi 4500 aktivitete, përfshirë edhe evente ndërkombëtare si ‘Giro d’Italia’, ku u dhanë 7 milionë euro një organizate private në ditën e votimit”, – deklaroi Berisha.

Ai tha se vetëm bashkitë kanë shpërndarë 57 milionë euro për qëllime elektorale, nga të cilat 14 milionë janë përdorur në formë blerjesh të përqendruara. Ndërkohë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që ai e cilësoi si “fond grabitjeje”, ka përdorur 10 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

Berisha theksoi se këto veprime janë në shkelje të standardeve të OSBE/ODIHR dhe Kodit të Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias, që kërkojnë ndarje të qartë mes shtetit dhe partisë.

“Tenderat e bashkive dhe fondet publike janë përdorur për të ndikuar elektoratin, në mënyrë të hapur e të paligjshme. Prokuroria, në vend që të hetojë, bën sehir. Altin Dumani thotë s’ka prova, edhe pse dokumentet janë publike”, – u shpreh Berisha.

Në fund të fjalës së tij, Berisha solli shembuj konkretë, si tenderi prej 500 milionë lekësh për djalin e një zyrtari që ka përfituar për të realizuar “një manual kuzhine” në restorantin e familjes së tij.

ME TE LEXUARAT