Situata me zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Vatrat kryesore janë izoluar, vijon monitorimi

Aktualitet

Situata me zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: Vatrat kryesore janë izoluar,

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim mbi situatën e zjarreve në vend, duke njoftuar se gjatë ditës së sotme janë ndjekur 9 vatra zjarri në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Sipas ministrisë, ndërhyrja e koordinuar e strukturave operacionale nga toka dhe ajri ka bërë që situata të përmirësohet ndjeshëm dhe aktualisht nuk raportohet asnjë rrezik për komunitetet apo zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes - përditësim për situatën e zjarreve

Falë ndërhyrjes së koordinuar të strukturave operacionale nga toka dhe ajri, situata është përmirësuar ndjeshëm dhe aktualisht nuk raportohet asnjë situatë problematike apo rrezik për zonat e banuara.

Në Dajt, pas ndërhyrjes së forcave të MZSH-së, ADZM-së dhe mbështetjes së helikopterit të Forcës Ajrore, zjarri raportohet i fikur dhe zona po mbahet nën monitorim.

Në Priskë, vatra është shuar plotësisht.

Në Çikallesh, Bashkia Kavajë, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse nga Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina, e mbështetur nga ajri me avionin "Air Tractor", bëri të mundur izolimin e plotë të vatrës. Zona po mbahet nën monitorim.

Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, Bashkia Mallakastër, zjarri është izoluar plotësisht në të gjithë perimetrin dhe zona po mbahet nën mbikëqyrje.

Në Plan të Bardhë, Bashkia Klos, zjarri, i favorizuar nga era, kishte zgjeruar perimetrin dhe kishte rrezikuar banesa dhe infrastrukturën elektrike. Pas angazhimit të forcave zjarrfikëse të disa bashkive, Policisë së Shtetit, strukturave vendore, vullnetarëve dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura, situata është vendosur nën kontroll.

Në Kostren 2, Bashkia Berat, zjarri është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe forcave mbështetëse. Është shuar plotësisht edhe vatra në Uruç, Bashkia Peqin.

Në Alikomemaj, Bashkia Memaliaj, është raportuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pisha dhe në terren janë dërguar forcat e MZSH-së së Memaliajt.

Në tërësi, situata paraqitet e stabilizuar, pa vatra problematike që rrezikojnë komunitetin apo zonat e banuara.

AKMC-ja dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e zonave të prekura dhe ndërhyrjen aty ku është e nevojshme.

 

ME TE LEXUARAT