Apeli i GJKKO-së rrëzon kërkesën/ Nuk lejon Berishën të shkojë në Kuvend

Apeli i GJKKO-së ka rrëzuar këtë të hënë kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për të marrë pjesë në seancat plenare.
Pavarësisht se Berisha ka insistuar që të marrë pjesë në seancat plenare dhe të ushtrojë detyrën si deputet, gjykata ka vendosur që të mos e lejojë.
Që prej 30 dhjetorit, kryetari i PD-së ndodhet në arrest shtëpie.

Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-kryeministrin për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin.
SPAK-u pretendon se Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër, ka favorizuar procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe përfitues i drejtpërdrejtë ka qenë Malltezi.
Malltezi akuzohet për "Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën.
Apeli i GJKKO rrëzoi Berishën, Gjokutaj: Lajthitje! U shkelmua Kushtetuta

Avokati Genc Gjokutaj, ka reaguar pas vendimit të Apelit të GJKKO në lidhje me kërkesën e bërë nga kreu i opozitës dhe PD, Sali Berisha për pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit.
Gjokutaj është shprehur se ku vendim i marrë nga Gjykata e Apelit ka vërtetuar shkelmimin e radhës të bërë ndaj Kushtetutës.
“Ky vendim i sotëm vendosi rrëzimin e kërkesës sonë. Sot u vërtetua shkelmimi i Kushtetutës edhe nga Apeli. Këta janë sy që nuk shikojnë dhe veshë që nuk dëgjojnë, me regji. Duam që të lirohet Berisha, sepse nuk ka akuzë dhe nuk ka prova.
Këta kanë vënë trupat e tyre për ta mbajtur në këmbë sistemin. Kjo gjykatë me vendimin e saj e largoi veten nga ligji dhe Kushtetuta. Nuk pranon SPAK as ekspertizat, asgjë. Kjo është çartje dhe lajthitje.”


