72 ditë revoltë qytetare/ “Të largohet kjo klasë politike, Rama në burg, Berisha në burg
Protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike vijon edhe sot, duke shënuar ditën e 72-të të saj.
Qytetarët pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Protesta, e cila nisi fillimisht kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, është zgjeruar gjatë javëve të fundit duke përfshirë edhe kërkesa të tjera politike.
Edhe gjatë protestës së 71-të, të zhvilluar një ditë më parë, protestuesit kanë artikuluar thirrje kundër drejtuesve kryesorë politikë. Ndër sloganet e përsëritura ishte edhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Organizatorët dhe qytetarët pjesëmarrës kanë deklaruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me synimin për të rritur pjesëmarrjen dhe presionin ndaj qeverisë, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.


