Inteligjenca Artificiale po bën "namet" në komunitet/ 9 në 10 persona nuk arrijnë ta dallojnë dot nga realiteti

Teknologji

Inteligjenca Artificiale po bën "namet" në komunitet/ 9

Inteligjenca artificiale po e bën gjithnjë e më të vështirë të dallojmë të vërtetën nga mashtrimi në internet. Një studim i ri i kompanisë së sigurisë kibernetike Malwarebytes tregon se pothuajse 90% e njerëzve hasin vështirësi në identifikimin e përmbajtjeve të krijuara ose të manipuluara nga inteligjenca artificiale.

Anketa, e zhvilluar me 1,500 persona në Austri, Britaninë e Madhe, Gjermani, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara, zbuloi se 88% e të anketuarve thanë se po e kanë gjithnjë e më të vështirë të kuptojnë nëse një përmbajtje online është autentike apo është prodhuar nga inteligjenca artificiale.

Por shqetësimi nuk lidhet vetëm me videot, fotot apo tekstet e krijuara nga AI. Pothuajse e njëjta përqindje e pjesëmarrësve deklaruan se e kanë të vështirë të dallojnë mashtrimet nga përmbajtja e besueshme.

Problemi duket se është përkeqësuar ndjeshëm në vetëm një vit. Në sondazhin e vitit të kaluar, 66% e të anketuarve kishin deklaruar se përballeshin me të njëjtën vështirësi.

Mashtrimet e personalizuara po shtohen
Sondazhi zbuloi gjithashtu një tjetër element shqetësues: një në katër persona tha se gjatë 12 muajve të fundit kishte marrë mesazhe të personalizuara që synonin mashtrimin.

Sipas ekspertëve, mashtruesit po përdorin gjithnjë e më shumë mjetet e inteligjencës artificiale për të krijuar komunikime më bindëse dhe për të shfrytëzuar të dhënat personale, si dhe marrëdhëniet e besimit mes njerëzve.

“Përdorimi i chatbot-eve dhe mjeteve të avancuara të inteligjencës artificiale po e zbeh gjithnjë e më shumë vijën ndarëse mes së vërtetës dhe së rremes”, thuhet në raportin e Malwarebytes.

Njerëzit po humbasin besimin te rrjetet sociale
Përballë këtij realiteti, përdoruesit po tregohen më të kujdesshëm në internet. Më shumë se tre në pesë persona deklaruan se kanë reduktuar përdorimin e rrjeteve sociale, kanë fshirë përmbajtje të vjetër ose po publikojnë më pak informacione personale për veten dhe familjarët.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë mund të ketë ndikim edhe te platformat e mëdha sociale, modeli i biznesit i të cilave mbështetet në mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave të përdoruesve, veçanërisht për reklamat e targetuara.

Në një internet ku imazhet, videot, zërat dhe mesazhet mund të krijohen me pak klikime, sfida po bëhet gjithnjë më e madhe: si të kuptojmë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është krijuar për të na mashtruar?

Raporti i Malwarebytes tregon se përgjigjja po bëhet gjithnjë e më e vështirë për miliona përdorues.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion