Test alkooli para se të dilni nga restoranti?/ Propozimi i çuditshëm i ekspertit të njohur shqiptar

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, ka bërë një propozim për rritjen e sigurisë rrugore, duke sugjeruar që restorantet dhe lokalet të pajisen me teste alkooli, në mënyrë që klientët të mund të kontrollojnë nëse janë në gjendje të drejtojnë automjetin pas konsumimit të pijeve alkoolike.
Softa theksoi se një praktikë e tillë përdoret edhe në vende të tjera dhe mund t’i ndihmojë drejtuesit të marrin një vendim më të sigurt përpara se të ulen në timon.
“Shumë lokale dhe restorante është e mira të kenë një test alkooli, që klientët të masin sasinë e alkoolit para se të marrin timonin. Ka shumë vende që e përdorin këtë”, tha Softa.
Eksperti u bëri apel drejtuesve të mjeteve që, në rastet kur planifikojnë të konsumojnë sasi të konsiderueshme alkooli, të mos drejtojnë automjetin.
“Kur ke ndërmend të konsumosh shumë pije alkoolike, më mirë merr një taksi”, u shpreh ai.
Softa ngriti gjithashtu shqetësimin për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit, duke e cilësuar atë si një nga faktorët që mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për aksidente.
Sipas tij, statistikat tregojnë se edhe një moment i shkurtër shpërqendrimi nga telefoni mund të ketë pasoja serioze.
“Një sekondë me sytë në celular është e barabartë me 100 metra ecje me makinë. Domethënë, është si të ngasësh me sy mbyllur për 100 metra”, tha eksperti.
Ai theksoi se shpërqendrimi gjatë drejtimit të automjetit është veçanërisht problematik edhe brenda qyteteve, duke e lidhur atë me aksidentet e regjistruara edhe në zonat e vijave të bardha.
Mesazhi i ekspertit është i drejtpërdrejtë: nëse konsumon alkool, mos merr timonin, ndërsa gjatë drejtimit të automjetit telefoni duhet të qëndrojë larg vëmendjes së shoferit.


