Policia Rrugore me “dorë të hekurt” në Tiranë, 3 245 masa administrative në 48 orë, arrestohen 12 shoferë

Policia Rrugore e Tiranës ka ndëshkuar 3245 drejtues mjetesh gjatë 48 orëve të fundit për shkelje të rregullave të qarkullimit. Në të njëjtën periudhë, 12 persona janë arrestuar dhe për 4 të tjerë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.
Sipas Policisë, shkeljet janë konstatuar gjatë monitorimit intensiv në të gjitha akset e kryeqytetit, me pajisje bashkëkohore. Pjesa më e madhe e masave, 1832 në total, janë vendosur për parkim të gabuar, ndërsa 292 drejtues janë ndëshkuar për tejkalim të shpejtësisë dhe 118 për parakalim të gabuar.
Gjithashtu, 83 masa janë vendosur për mosmbajtjen e kaskës mbrojtëse apo jelekut fosforeshent nga drejtuesit e motomjeteve, 56 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit dhe 52 për mosvendosjen e rripit të sigurimit.
Policia ka ndëshkuar edhe 37 drejtues për mosdhënie përparësie këmbësorëve, 10 për drejtim të automjetit në efektin e alkoolit dhe të tjerë për shkelje të ndryshme të sinjalistikës rrugore.
Kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, me synim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Policia u bën apel drejtuesve të automjeteve të mos drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike, të respektojnë kufijtë e shpejtësisë dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes.


