Fronti i përbashkët në BE / Shtatë shtete anëtare kërkojnë bllokimin e vizave për sportistët rusë dhe bjellorusë

Shtatë vende anëtare të Bashkimit Europian po u bëjnë thirrje qeverive të ndalojnë lëshimin e vizave për sportistët rusë dhe bjellorusë, në një kohë kur federatat ndërkombëtare të sportit po lehtësojnë kufizimet e vendosura pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Moska.
Në një letër të përbashkët, të datës 23 nëntor, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe ai polak Donald Tusk, së bashku me liderët e Finlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, paralajmërojnë se rikthimi i Rusisë në arenën sportive do t’i jepte Kremlinit një fitore, shkruan Politico.
Të hënën, Komisioni Europian propozoi ndalimin e sportistëve që garojnë nën flamurin rus, ndërsa u rekomandoi qeverive të shqyrtojnë refuzimin e vizave për ta, pasi ndalimi të miratohet. Propozimi duhet të marrë ende mbështetjen e të 27 vendeve anëtare të BE-së.
Megjithatë, shtatë liderët kërkojnë që qeveritë të ndalojnë që tani lëshimin e vizave për sportistët rusë dhe bjellorusë. Një masë e tillë mund të pengojë pjesëmarrjen edhe të atyre sportistëve që kanë marrë miratimin për të garuar nën një flamur neutral.
Ata kërkojnë gjithashtu ashpërsimin e rregullave të vizave të BE-së, me qëllim kufizimin e udhëtimeve jo të domosdoshme nga Rusia në përgjithësi. Por, duke qenë se një propozim legjislativ për këtë çështje pritet të paraqitet vetëm në fillim të vitit 2027, liderët theksojnë se situata është tepër urgjente për të pritur.
“Lejimi i shtetit rus për të pasur përfaqësues në garat ndërkombëtare rrezikon të përcjellë mesazhin se po pranohet gradualisht lufta e agresionit e Rusisë. Është thjesht e pamundur të ndash sportin nga gjeopolitika”, thuhet në letrën drejtuar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Këshillit Europian, António Costa.
Përplasja për këtë çështje ka nisur të shfaqet tashmë në sportet dimërore. Federata Ndërkombëtare e Skive dhe Snowboardit (FIS) ka miratuar pjesëmarrjen e më shumë se 400 sportistëve dhe anëtarëve të stafit mbështetës nga Rusia dhe Bjellorusia, të cilët do të garojnë si neutralë gjatë këtij sezoni.
Megjithatë, Polonia ka përjashtuar mundësinë e dhënies së vizave për kërcyesit rusë me ski, të cilët synojnë të marrin pjesë në garat e Kupës së Botës në Wisła dhe Zakopane.
Ndërkohë, Suedia ka ndërmarrë hapa për të përjashtuar sportistët rusë të skive nga Kampionati Botëror, të cilin do ta organizojë në muajin shkurt. Edhe kufizimet e hyrjes në Finlandë penguan kampionët e mëparshëm të botës në patinazhin artistik, Anastasia Mishina dhe Aleksandr Galliamov, të merrnin pjesë në garën e fundjavës së kaluar në Helsinki.
Edhe ekipet ruse të hokejit në akull janë lejuar të rikthehen në turnetë ndërkombëtarë, pas një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv më 30 tetor.
Megjithatë, Kanadaja, e cila në dhjetor do të organizojë një garë për të rinj, ndaloi hyrjen në vend të ekipit rus. Ndërkohë, disa vende europiane kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në kampionatin e të rriturve për meshkuj, që do të zhvillohet në majin e ardhshëm në Gjermani.
Edhe Berlini po ushtron presion për rikthimin e ndalimit ndaj ekipeve ruse në garat e hokejit.
Shtatë vendet synojnë të mbrojnë qëndrimin e tyre gjatë samitit të BE-së, që do të zhvillohet këtë të enjte në Bruksel.


