Përplasje në Kuvend, Berisha refuzon të largohet nga foltorja edhe pas ndërprerjes së mikrofonit

Seanca e sotme plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione, pasi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka refuzuar të lirojë foltoren edhe pas përfundimit të kohës së përcaktuar për fjalën e tij.
Pavarësisht thirrjeve të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për t'u larguar nga foltorja, Berisha ka vijuar qëndrimin e tij. Edhe pasi iu ndërpre mikrofoni, kreu i demokratëve nuk është tërhequr dhe ka vazhduar të flasë, duke përsëritur akuzat e tij ndaj mazhorancës dhe deputetëve të Kuvendit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi Kuvendin si një institucion kriminal, duke bërë një krahasim me parlamentin e vitit 1945.
“Pas parlamentit të ’45-ës, ky është parlamenti më kriminal që ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. Nëse në ’45-ën zunë vend në këtë sallë vrasës serialë, sot në këtë sallë janë kriminelë ordinerë, trafikantë, porositës vrasjesh”, deklaroi Berisha.
Ai iu drejtua gjithashtu shqiptarëve, duke pretenduar se Kuvendi përfaqëson një parlament krimi dhe se deputetët do të mbeten në histori për veprimtarinë e tyre.
Në fund të deklaratës, Berisha iu drejtua sërish drejtuesit të seancës, duke i kërkuar të mos largohej, pasi, sipas tij, qytetarët duan të shohin dokumentet.
Situata në foltoren e Kuvendit vijoi edhe pas ndërprerjes së mikrofonit, ndërsa përplasja mes Berishës dhe drejtuesit të seancës u bë një nga momentet e tensionuara të diskutimeve parlamentare.


