Arratiset në Shqipëri një prej të dyshuarve për vrasjen e “Papagallit” në Greqi, kamerat zbardhin lëvizjet e të dyshuarve

Bota

Arratiset në Shqipëri një prej të dyshuarve për vrasjen
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë luajtur një rol vendimtar në hetimin e vrasjes së 52-vjeçarit grek Nikos Gavanozis, i njohur me nofkën “Papagalli”, i cili u ekzekutua më 11 tetor pranë banesës së tij në Glyfada të Greqisë.

Për ngjarjen është arrestuar një 48-vjeçar në Agrinio, ndërsa policia është në kërkim të dy personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në vrasje. Njëri prej tyre është identifikuar nga autoritetet dhe dyshohet se është larguar drejt Shqipërisë.

Sipas raportimit të mediave greke, hetuesit e Departamentit të Krimeve të Rënda kanë mbledhur dhe analizuar një numër të madh pamjesh filmike, të cilat kanë ndihmuar në identifikimin e personave dhe automjeteve të lidhura me ngjarjen.

Viktima punonte si pjesëtar i sigurisë në një klub nate. Sipas hetimeve, vrasja dyshohet se ishte e planifikuar dhe e kryer në mënyrë të shënjestruar.

Arrestimi i 48-vjeçarit dhe dyshimet për bashkëpunim

Hetimet e policisë çuan në një banesë në Keratea, pronë e 48-vjeçarit të arrestuar në Agrinio, pas disa ditësh vëzhgimi nga autoritetet.

 
Ai dyshohet se ka ndihmuar dy personat e shpallur në kërkim, duke u siguruar mbështetje logjistike pas vrasjes së 52-vjeçarit.

Gjatë marrjes në pyetje, 48-vjeçari raportohet se ka pranuar se i kishte ndihmuar dy burrat, por ka pretenduar se nuk e dinte se ata ishin të përfshirë në një vrasje. Sipas versionit të tij, ai mendonte se motori i lidhur me çështjen ishte i vjedhur.

Megjithatë, nëpërmjet avokatit të tij, ai mohon çdo përfshirje në vrasje. I arrestuari pretendon se në momentin e kryerjes së krimit nuk ndodhej as në Glyfada dhe as në banesën e tij në Keratea, por në shtëpinë e një miku në zonën e Kolonos.

I dyshuari shqiptar në kërkim, me precedentë të rëndë penalë

Vëmendje të veçantë në dosjen hetimore ka edhe 48-vjeçari me origjinë shqiptare, i cili është identifikuar nga autoritetet greke, por ende nuk është arrestuar. Sipas mediave greke, ai dyshohet se është larguar në Shqipëri.

Personi në fjalë ka një të kaluar të rëndë kriminale. Ndaj tij është në fuqi një urdhër-arresti i lëshuar nga hetuesi i Kalamatas më 18 dhjetor 2023, i cili është konfirmuar edhe në dhjetor 2024.

Urdhër-arresti lidhet me akuza për pjesëmarrje në organizatë kriminale, grabitje me armë dhe shkelje të legjislacionit për armët.

Konkretisht, ai dyshohet se më 27 korrik 2023, së bashku me dy persona të tjerë, mori pjesë në grabitjen e armatosur të një zyre postare në Messini, nga ku u vodhën 130 mijë euro.

Gjithashtu, në vitin 2025, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Lamia e dënoi me 9 vite e 3 muaj burg për tri grabitje dhe mbajtje të paligjshme armësh.

Në dosjen e tij përfshihen edhe akuza për pjesëmarrje në bandë kriminale, grabitje, shantazh, vjedhje, plagosje të rëndë trupore, kërcënim, fyerje dhe falsifikim, si dhe shkelje të ligjit për armët dhe substancat e ndaluara.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion