"E keni kthyer PD-në në fabrikë molotovësh..." Balla sulmon ashpër opozitën para protestës

Taulant Balla, deputet i Partisë Socialiste, ka lëshuar akuza të forta ndaj Partisë Demokratike gjatë seancës plenare në Kuvend, duke e akuzuar opozitën se është larguar nga aspiratat e saj evropiane dhe është kthyer në një burim dhune.
Gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se ndërsa Shqipëria është në një fazë historike të integrimit dhe pret mbështetjen e komisioneres Marta Kos, Partia Demokratike nuk ka votuar asnjë ligj që lidhet me reformat e integrimit.
Sipas deputetit socialist, PD-ja e sotme është shndërruar në një "ndërmarrje magazinë prodhimi molotovësh", duke lënë pas rolin e saj si forca që synonte ta shihte Shqipërinë si gjithë Evropa. Ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të distancohen nga dhuna në rrugë dhe nga retorika agresive, të cilën ai e cilësoi si të frymëzuar nga brenda radhëve të tyre.
Balla mbrojti gjithashtu punën e Policisë së Shtetit, duke i cilësuar sulmet ndaj tyre si të papranueshme. Ai theksoi se policia është garantuesja e rendit dhe sigurisë së qytetarëve, përfshirë mbrojtjen e fëmijëve dhe pronës publike.
Në përfundim të fjalës së tij, deputeti u kërkoi kolegëve të opozitës të lënë pas diskutimet pa vlerë dhe të bashkohen në punën për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në lidhje me penalitetet e ashpra që parashikon akti i ri normativ për duhanet.


