Pastronte paratë në Shqipëri, dërgohet në gjyq administratori italian, i sekuestrohen 10 mln euro pasuri

Aktualitet

Pastronte paratë në Shqipëri, dërgohet në gjyq
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin italian G.T., administrator i shoqërisë “Euro Beton 2005”, i akuzuar për mashtrim, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Në kuadër të hetimit janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë rreth 10 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, hetimet disa mujore kanë zbuluar dyshime për një skemë mashtrimi, përmes së cilës kompania përfitonte lëndë të para nga subjekte të ndryshme ekonomike, duke premtuar pagesa ose apartamente, por më pas mohonte furnizimet dhe detyrimet financiare.

Lëndët e para dyshohet se përdoreshin për prodhimin dhe shitjen e betonit, ndërsa furnizimet e pafiskalizuara dhe shitjet e produktit shërbenin për fshehjen e të ardhurave dhe legalizimin e përfitimeve të paligjshme.

Në kuadër të procedimit penal nr. 1718 të vitit 2026, ndaj administratorit italian dhe personit juridik “Euro Beton 2005” janë ngritur akuzat për veprat penale të “Mashtrimit”, “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Me vendim të gjykatës është vendosur sekuestro preventive mbi tetë pasuri të paluajtshme, mes tyre tokë, njësi tregtare dhe një objekt me sipërfaqe 2 780 metra katrorë, si dhe 25 automjete, përfshirë betonierë, pompa dhe mjete transporti.

Pasuritë e sekuestruara, me vlerë të përgjithshme rreth 10 milionë euro, si dhe aktiviteti tregtar i kompanisë, i janë kaluar në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion