Kërkohet drejtësi për Arlinda Zekajn, aktivistet i drejtohen zyrtarisht Kryeprokurorit të Shtetit

Aktivistet e Kolektivit Për Mendim dhe Veprim Feminist kanë shkuar sot para objektit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Takimi po mbahet pas insistimit të aktivisteve, të cilat përmes protestave në Prishtinë kanë kërkuar drejtësi për viktimat dhe llogaridhënie institucionale.
Fillimisht Policia e Kosovës nuk i lejoi të hyjnë brenda dhe të takohen me kryesuesin e KPK-së, Arian Gashin.
Pas konsultimit me kryesuesin, takimi është pranuar dhe aktualisht është duke u zhvilluar. Arsyeja e takimit është për të marrë më shumë informacione dhe detaje lidhur me ngjarjen e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Aktivistet kanë kërkuar që institucionet e drejtësisë të ndërmarrin veprime konkrete dhe t’u japin përparësi rasteve të dhunës dhe vrasjeve të grave.
Arlinda Zekaj u vra më 26 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj.
Para vrasjes, ajo kishte raportuar dhunë në familje dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet përgjegjëse.
Rasti nxiti protesta në kryeqytet, ku u kërkua hetimi i veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve që kishin trajtuar kërkesat e viktimës për mbrojtje.


