“Largimi nga PS isha e detyruar” / Koçeku: I besoj SPAK-ut, dua t'i shoh zyrtarët e politikës të barabartë para ligjit

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka folur mbrëmjen e sotme për qëllimet e përfshirjes së saj në politikë. E ftuar në nje interviste televizive, Koçeku u shpreh se qëllimi i saj për të hyrë në politikë nuk ka qenë personal, por ka qenë dëshira për të kontribuar në zhvillimin e zonës që përfaqëson.
Ndër të tjera, deputetja ka shprehur vlerësimin e saj për Prokurorinë e Posaçme dhe punën e SPAK-ut në hetimin e zyrtarëve të lartë të politikës shqiptare.
Koçeku tha se gjatë kohës kur ishte pjesë e Grupit Parlamentar të PS-së, ishte e detyruar të ndiqte linjën e tyre politike. Ajo shtoi se vendosi të largohej kur pa se kjo linjë binte ndesh me parimet e saj personale.
“Në momentin që kam pranuar të bëhem pjesë e politikës nëpërmjet PS-së, ka qenë dëshira ime të përfaqësoj një zonë që nuk ishte e përfaqësuar. Qëllimi im për të hyrë në politikë nuk ka qenë personal, por kam dashur të kontribuoj me disa ligje për të përmirësuar çështjet mjedisore dhe investimet publike në zonën që përfaqësoja.
Si gjatë angazhimit në PS, ashtu edhe më pas, dhe do të vazhdoj të jem kërkuese dhe besnike për sa u përket çështjeve të drejtësisë.
Për këtë qëllim, mbështes SPAK-un dhe ndëshkueshmërinë ligjore, e cila është kthyer në normë në të gjithë sektorët. Mbështes çdo aksion për të çuar drejtësinë në vend. Jam besimplotë se drejtësia do të ndërmarrë veprimet e duhura për t'i çuar gjërat në drejtimin e duhur.
I besoj SPAK-ut, sepse dua t'i shoh zyrtarët e politikës shqiptare të barabartë para ligjit. SPAK-u ka pasur dhe ka ruajtur kredibilitetin përpara shoqërisë shqiptare. Si SPAK-u, ashtu edhe protestat janë dy forma reagimi që kanë fituar një besueshmëri të madhe në shoqërinë shqiptare.
Kam qenë e detyruar të mbaja linjën politike dhe, kur pashë se ajo klimë ishte kundër parimeve të mia personale, mora vendimin të largohesha nga Partia Socialiste”, tha Koçeku.


