Parkimi i ri në QSUT me 1,400 vende, Rama tregon çfarë do të ndodhë me makinat

Gjatë vizitës në ambientet e reja të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, kryeministri Edi Rama deklaroi se përfundimi i parkimit do të mundësojë largimin e automjeteve nga brenda territorit të spitalit.
Kapaciteti i parkimit që po ndërtohet në hyrje të QSUT është me 1,400 vende. Sipas kryeministrit rreth 900 vende të parkimit do të përdoren nga personeli i QSUT-së, ndërsa 500 vendet e tjera do të shërbejnë si burim të ardhurash dytësore për spitalin.
Me përfundimin e parkimit të madh me 1400 vende në hyrje, përfundimisht ne i heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit. Aty me sa unë kuptova janë 900 makina të personelit dhe mbeten edhe 500 vende të tjera që janë të ardhura dytësore për spitalin.
Ndërkohë që gjithë territorin e spitalit do ta kthejmë në një park shumë të bukur për të cilin do punojmë tani edhe të cilin besoj do ta realizojmë në harkun e dy vjetëve.
Kryeministri Rama theksoi se Investimet në QSUT do të vijojnë edhe në fazat e ardhshme, me synimin për të adresuar nevojat e strukturës spitalore dhe për të përmirësuar më tej kushtet e ofrimit të shërbimit për pacientët dhe stafin.
“Jemi duke vazhduar të diskutojmë për partneritetin e spitalit me një strukturë tjetër shumë të njohur.
Kemi disa opsione, por diskutimet vazhdojnë dhe besoj që shumë shpejt do arrijmë të ndërtojmë këtë partneritet i cili do konsistojë në një menaxhim të spitalit dhe në një ndërveprim të spitalit me strukturën partnere ku mjekët do jenë në një program bashkëpunimi.
Mjekët e spitalit tonë do shkojnë atje. Mjekët e spitalit atje do vijnë këtu. Pra jo thjesht vizita pune, por një strukturë që administrohet me standardet e ekselencës edhe që do të na do të na japi shumë dorë pastaj për të pasur qartësi edhe për autonominë financiare që hyn në fuqi vitin e ardhshëm.
Pjesë e këtij plani është edhe ndërtimi i një strukture private brenda spitalit, e cila do të jetë një strukturë ku ju të punoni paralelisht dhe që të sjellë dhe një rritje të domethënëse dhe të të ardhurave tuaja”, pohoi Rama.


