Papa Leoni XIV pret ipeshkvijtë e Shqipërisë, i japin dhuratën e veçantë

Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV, ka pritur në një audiencë private ipeshkvijtë dhe administratorët dioqezanë të Shqipërisë, të cilët ndodhen në Romë në kuadër të vizitës “Ad Limina Apostolorum”.
Kjo është një vizitë periodike që ipeshkvijtë e çdo vendi zhvillojnë në Vatikan, zakonisht një herë në pesë vjet, për t'u takuar me Papën dhe për ta informuar mbi gjendjen e Kishës në vendet e tyre.
Takimi me Papa Leonin XIV zgjati më shumë se një orë. Gjatë bisedës, ipeshkvijtë shqiptarë e njohën Atin e Shenjtë me situatën e Kishës Katolike në Shqipëri, sfidat dhe shqetësimet me të cilat përballet ajo, si dhe zhvillimet në vend.
Në emër të ipeshkvijve dhe të gjithë Kishës Katolike në Shqipëri, Papën e përshëndeti Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit dhe president i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Kishës Katolike shqiptare i dhuruan Papës ikonën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së Popullit Shqiptar, të realizuar nga një artist shqiptar. Përmes këtij takimi, ata përsëritën edhe ftesën që Papa të vizitojë Shqipërinë.
Një tjetër dhuratë ishte libri kushtuar martirëve të Shqipërisë, i cili përmbledh historinë e persekutimit dhe qëndresës së Kishës Katolike në vendin tonë.


