Kërkuan dorëheqjen e tij se çoi Veliajn në burgun e Fierit, Toni Gogu u kthen përgjigje Çuçit dhe Xhafajt

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u ka dërguar një përgjigje zyrtare Bledi Çuçit dhe Fatmir Xhafajt lidhur me transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga institucioni i paraburgimit në Durrës drejt atij të Fierit.
Sipas informacioneve të gazetares Anila Hoxha, çështja është në proces verifikimi, ndërsa pritet edhe një përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Mësohet se ministri Gogu ka urdhëruar nisjen e një inspektimi që përfshin 24 transferime të personave të privuar nga liria, të realizuara gjatë 11 ditëve të fundit.
Kontrolli synon të shqyrtojë procedurat administrative dhe ligjore të ndjekura për këto lëvizje, për të përcaktuar nëse ato janë kryer në përputhje me rregullat në fuqi.
Përfundimet e inspektimit pritet të bëhen publike pas marrjes së informacionit zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, institucion që administron transferimet e personave të paraburgosur dhe të dënuar.


