Mediat raportuan arrestimin e tij, reagon pronari i “Sante Plus”, Bilal Kara: Ja si qëndron e vërteta

Pas raportimeve të bëra nga mediat maqedonase të cilët bënë me dije se është vënë në pranga, pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara ka dalë me një reagim në lidhje me rastin. Përmes një postimi të bërë paraditen e sotme në rrjet, Kara shkruan se nuk është në paraburgim e as nuk është arratisur, ndërsa shton se pacientët e tij nuk janë dëmtuar ndonjëherë.
Raportimet e bëra për arrestimin e tij Kara i cilëson si të pavërteta, ndërsa bën thirrje që mediat të mos shkruajnë më për këtë rast, por të lënë institucionet që të bëjnë punën e tyre.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Kara paralajmëron masa ligjore për ato që ai i cilëson si të pavërteta të pabulikuara.
“Gjatë ditës së sotme, në portalet e internetit janë përhapur shumë të pavërteta lidhur me mua, Bilal Kara, me institucionet, bashkëpunëtorët e të cilave jam, si dhe me punonjësit e tyre.
Së pari, nuk jam në paraburgim, nuk jam arratisur dhe as pacientët në spitalet e mia nuk janë dëmtuar ndonjëherë.
U bëj thirrje publike të gjitha portaleve: Lërini institucionet t’i kryejnë punët e tyre. Tregoni profesionalizëm dhe respekt për ligjet, integritetin dhe dinjitetin njerëzor. Mos lejoni që frustrimet personale të disa individëve të ndikojnë në imazhin që publiku ka për spitalin më të mirë okulistik në Ballkan, e mos ndoshta edhe më gjerë.
Në fund, “Sante Plus” është institucion gjinekologjik-obstetrik. Nëse tashmë punoni sipas parimit “copy-paste”, të paktën verifikoni informacionet deri në fund.
Sigurisht, për të pavërtetat e publikuara do të ndërmerren patjetër masa ligjore.”, shkruan Kara.


