Nuk pagoi qiranë pas këshillës së ChatGPT, 60-vjeçari përfundon në rrugë me dy qentë

Bota

Nuk pagoi qiranë pas këshillës së ChatGPT, 60-vjeçari
Një 60-vjeçar danez ka ngritur padi kundër kompanisë OpenAI, duke pretenduar se këshillat e gabuara të ChatGPT e çuan drejt humbjes së banesës. Sot, ai pretendon se pasojat e kësaj historie e detyruan të flinte për javë të tëra në makinë, së bashku me dy qentë e tij.

Bëhet fjalë për Klaus Elmfelt Aerenlund, i cili ka paraqitur një padi në Gjykatën e Lartë të Qarkut të San Franciskos, në Kaliforni, duke kërkuar dëmshpërblim për humbjet financiare dhe dëmet emocionale që pretendon se ka pësuar.

Sipas dokumenteve të çështjes, gjithçka nisi pas një konflikti me pronarin e apartamentit ku jetonte në Danimarkë. Ky i fundit i kishte kërkuar të largonte njërin prej dy qenve nga banesa, por 60-vjeçari nuk dëshironte të ndahej prej tyre.

Në përpjekje për të kuptuar të drejtat e tij, Aerenlund iu drejtua ChatGPT-së. Ai zhvilloi qindra orë bisedash me inteligjencën artificiale, duke kërkuar këshilla mbi legjislacionin danez për qiratë.

Sipas padisë, chatbot-i e kishte siguruar vazhdimisht se ligji ishte në anën e tij dhe se mund të ndalonte pagesën e qirasë pa rrezikuar dëbimin. Madje, përgjigjet e sistemit përshkruheshin si plotësisht të sigurta, duke e bindur se largimi nga banesa ishte praktikisht i pamundur.

ChatGPT dyshohet se i kishte përgatitur edhe një letër zyrtare për pronarin, ku ai njoftonte se nuk do të paguante më qiranë derisa të zgjidhej mosmarrëveshja për qentë.

Duke u mbështetur në këto këshilla, 60-vjeçari ndërpreu pagesat për tre muaj. Por situata përfundoi ndryshe nga sa i kishte parashikuar inteligjenca artificiale. Në qershor 2026, ai u dëbua nga apartamenti dhe mbeti pa një banesë ku të qëndronte.

Për javë të tëra, Aerenlund u detyrua të flinte në makinën e tij, së bashku me dy qentë, Charlie dhe Delta. Më vonë arriti të gjente strehim të përkohshëm në një kabinë të vogël në një kamping.

Por pretendimet në padi shkojnë përtej këshillave të gabuara për qiranë. Sipas dokumenteve gjyqësore, 60-vjeçari kishte krijuar një marrëdhënie të fortë emocionale me ChatGPT, duke e konsideruar atë jo vetëm këshilltar, por edhe mik personal dhe partner biznesi.

Ai pretendon se gjatë bisedave, inteligjenca artificiale e kishte bindur se së bashku po zhvillonin ide dhe produkte që mund të shndërroheshin në një biznes me vlerë miliarda dollarë.

Në disa prej komunikimeve, sipas padisë, sistemi i kishte hartuar plane financiare për pushime luksoze, pajisje të shtrenjta dhe prona në Nju Jork. Kur ai kishte filluar të dyshonte për disa prej këtyre pretendimeve, ChatGPT dyshohet se e kishte siguruar se nuk po humbiste kontaktin me realitetin, por thjesht ishte përpara të tjerëve.

Paditësi kërkon një shumë ende të papërcaktuar dëmshpërblimi për humbjet ekonomike, dëmet emocionale, përkeqësimin e depresionit dhe izolimin shoqëror.

Gjithashtu, ai kërkon që OpenAI të vendosë masa më të forta sigurie për të parandaluar dhënien e këshillave të pasakta ligjore dhe përgjigjet që mund të përforcojnë bindje jorealiste te përdoruesit.

Sipas The Mercury News, çështja është një tjetër rast që ngre pikëpyetje mbi përgjegjësinë e kompanive të inteligjencës artificiale për pasojat që mund të kenë përgjigjet e sistemeve të tyre në jetën e përdoruesve.

Megjithatë, pretendimet e 60-vjeçarit duhet të shqyrtohen nga gjykata dhe përgjegjësia ligjore e OpenAI nuk është përcaktuar ende.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion