Arrestohet “El Chapo Isidro”, një nga njerëzit më të kërkuar të FBI-së! Sinaloa kthehet në arenë lufte (Video)

Një prej personave më të kërkuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) në Shtetet e Bashkuara raportohet se është arrestuar nga forcat ushtarake meksikane.
I arrestuari është Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me pseudonimin “El Chapo Isidro”. Ai dyshohet se është drejtuesi i organizatës kriminale Meza-Flores, e njohur gjithashtu si Los Mazatlecos, një grup me bazë në qytetin Guasave.
Arrestimi i tij është raportuar nga disa media meksikane, ndërsa CNN ka bërë të ditur se është ende në pritje të një konfirmimi zyrtar nga autoritetet meksikane.
Sipas FBI-së, Meza Flores akuzohet se ka pasur rol në posedimin, shpërndarjen dhe kontrabandën drejt SHBA-së të sasive të mëdha të heroinës, metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe marijuanës. Për çdo informacion që do të ndihmonte në kapjen e tij, autoritetet amerikane kishin vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.
Operacioni u shoqërua me përplasje të ashpra mes ushtrisë meksikane dhe personave të armatosur në Guasave.
Pamje të verifikuara nga CNN shfaqin helikopterë të forcave meksikane të sigurisë duke patrulluar mbi zonë dhe duke qëlluar drejt objektivave në tokë.
Autoritetet lokale deklaruan se në Guasave kishte ndodhur një sulm ndaj forcave federale. Banorët raportuan se gjatë përleshjeve disa biznese dhe pika karburanti u përfshinë nga zjarri, ndërsa persona të armatosur dyshohet se morën kontrollin e disa spitaleve private.
Qeveria e Sinaloas u kërkoi qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin qarkullimin në rrugë derisa të përfundojë operacioni për rivendosjen e sigurisë.
Meza Flores është akuzuar më herët në SHBA për trafik droge, në vitet 2012 dhe 2019. Organizata e tij ka qenë gjithashtu pjesë e një konflikti të dhunshëm për kontroll territori me Kartelin e Sinaloas, i cili në atë periudhë drejtohej nga Joaquín “El Chapo” Guzmán, që aktualisht po vuan dënimin në një burg amerikan


