Nga Turqia drejt BE-së, 6 emigrantë gjenden të fshehur në një kamion në Kapshticë

Gjashtë shtetas të huaj janë zbuluar të fshehur në hapësirën e ngarkesës së një kamioni në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës.
Sipas njoftimit të policisë ata u evidentuan mbrëmjen e 27 tetorit, rreth orës 22:00, gjatë skanimit të një kamioni të ardhur nga Turqia me destinacion Durrësin.
Shenjat e dyshimta në pjesën e pasme të trajlerit çuan në kontrollin fizik të automjetit nga punonjësit e Doganës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare.
Nga verifikimet paraprake rezultoi se pesë prej personave ishin nga Sudani dhe një nga Kuvajti. Dy prej tyre deklaruan se nuk kishin dokumente identifikimi me vete.
Sipas deklarimeve të tyre, ata kishin hipur në kamion në Turqi me synimin për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.


