“Mos udhëtoni...” SHBA ngre alarmin

Ambasada e SHBA-së në Rusi ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë pas raportimeve për një rast të dyshuar të murtajës pneumonike në rajonin e Irkutskut, ku një person raportohet të ketë humbur jetën. Autoritetet amerikane bëjnë me dije se po e ndjekin situatën nga afër, ndërsa në zonë janë marrë masa karantine dhe janë raportuar mbyllje të spitaleve.
Në njoftimin e saj, Ambasada amerikane thekson se aftësia e qeverisë së SHBA-së për të ndihmuar qytetarët amerikanë në Rusi është e kufizuar, veçanërisht jashtë Moskës. Po ashtu, personeli amerikan mund të përballet me kufizime shtesë për udhëtimet në zona të caktuara për shkak të shqetësimeve shëndetësore dhe të sigurisë.
SHBA ka rikujtuar se këshillimi i Departamentit të Shtetit për Rusinë mbetet në nivelin 4, “Mos udhëtoni”, ndërsa qytetarëve amerikanë që ndodhen aktualisht në Rusi u kërkohet të largohen menjëherë.
“Qytetarët amerikanë që planifikojnë të udhëtojnë drejt Rusisë këshillohen fuqimisht të mos udhëtojnë”, thuhet në njoftim, ku përmenden edhe rreziku i ndalimit të padrejtë dhe shqetësimet e sigurisë.
Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që ndodhen në zonën e prekur të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale shëndetësore, të shmangin objektet e prekura dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse shfaqin temperaturë ose simptoma të frymëmarrjes.
Amerikanëve që kanë udhëtuar në një zonë ku raportohet shpërthim u kërkohet të monitorojnë gjendjen shëndetësore për 14 ditë pas udhëtimit dhe të ndjekin përditësimet shëndetësore për Rusinë.
Gjithashtu, Ambasada i këshillon qytetarët të kontrollojnë mundësitë e sigurimit për evakuim mjekësor, të kenë një plan për t’u larguar në rast emergjence që të mos varet nga ndihma e qeverisë amerikane dhe të ndjekin mediat lokale për zhvillimet e fundit.
Ndërkohë, autoritetet ruse kanë mohuar se murtaja po përhapet, duke kundërshtuar shqetësimet lidhur me situatën.


