Dhun'ohet polici 19 vjeç në Krujë, u godit me sende të forta nga vëllezërit e vajzës që fliste në rrjete sociale

Një punonjës policie është dhunuar mbrëmjen e së martës për motive banale. Ai ishte jashtë shërbimit në momentin kur ndodhi ngjarja.
Punonjësi i Patrullës, 19 vjeç, është goditur me sende të forta dhe shkop bejsbolli. Autorë të dyshuar të ngjarjes janë vëllezërit e një vajze me të cilën punonjësi i policisë kishte komunikuar në rrjetin social Instagram.
Sipas hetimeve paraprake, familjarët e vajzës kishin mësuar për komunikimin dhe dyshohet se vëllai i saj nuk e ka pranuar këtë fakt. Sipas raportimeve, vajza me të cilën komunikonte efektivi është nën moshën 18 vjeç.
Pas kallëzimit të punonjësit të policisë, hetuesit kanë nisur verifikimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Këqyrja e kamerave të sigurisë ka ndihmuar në zbulimin e automjetit me të cilin dyshohet se janë larguar personat e përfshirë në ngjarje.
Vëllezërit e vajzës janë shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e përgjegjësisë së personave të dyshuar.


