Merkel në mbështetje të Kompany: E njëjta gjë më ndodhi mua, trupi dërgon sinjale kur duhet të ndalosh

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur mbështetjen e saj për trajnerin e Bayern Munich, Vincent Kompany, duke i uruar një rikuperim sa më të shpejtë dhe duke theksuar rëndësinë që ai të marrë gjithë kohën e nevojshme për t’u rikthyer pa presion.
Në një intervistë për “Magenta TV”, Merkel tregoi se lajmi për gjendjen e trajnerit bavarez e kishte trishtuar, ndërsa shprehu respektin e madh për punën dhe qëndrimet e tij.
“Në fillim u ndjeva shumë e trishtuar kur e dëgjova këtë lajm. I uroj shërim të shpejtë dhe shpresoj që të ketë kushtet e duhura për të marrë gjithë kohën që i nevojitet”, deklaroi Merkel.
Ish-kancelarja gjermane vlerësoi gjithashtu mënyrën se si Kompany e ushtron profesionin e tij, duke vënë në pah edhe qëndrimet e trajnerit kundër diskriminimit.
“Kam një respekt të madh për punën që bën Vincent Kompany, si dhe për qëndrimet e tij të qarta kundër diskriminimit dhe për shumë çështje të tjera. Mund ta imagjinoj se, nëse do të isha futbolliste apo futbollist, ai do të ishte pikërisht trajneri me të cilin do të dëshiroja të punoja”, u shpreh ajo.
Merkel e lidhi situatën e Kompany-t edhe me një përvojë personale të vitit 2019, kur gjatë një ceremonie ushtarake filloi të dridhej në mënyrë të dukshme. Ajo kujtoi se ky reagim mund të kishte ardhur si pasojë e tensionit të akumuluar, pas humbjes së nënës së saj dhe në një periudhë kur e dinte se po i afrohej largimit nga posti i kancelares.
“Me siguri Vincent Kompany nuk ka zgjedhur vetë të qëndrojë në shtëpi, por diçka ka ndodhur që e ka bërë trupin e tij të thotë më në fund: Mjaft! E njëjta gjë më ndodhi edhe mua”, rrëfeu Merkel.


