"Më kanë goditur pa pushim" – Flet i riu i shoqëruar mbrëmë në protestë: U dhunova nga policia

Një i ri që u shoqërua në komisariat pas protestës së mbrëmshme në Tiranë, ku para Kuvendit pretendoi se është dhunuar fizikisht dhe kërcënuar nga efektivë të policisë brenda ambienteve të komisariatit.
Në një deklaratë për mediat, ai ka rrëfyer se po largohej nga protesta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, së bashku me një shok, kur është ndaluar nga një automjet dhe është shoqëruar në komisariat.
Sipas dëshmisë së tij, fillimisht është dërguar në ambientet e paraburgimit, por më pas një efektiv i ka thënë se e kërkonte shefi në zyrë. Aty, pretendon i riu, është përballur me fyerje, dhunë fizike dhe kërcënime nga Roki Pepa dhe Ervin Hasrama, të cilin e identifikon si shefin e Komisariatit nr. 1.
“Isha duke protestuar të Bulevardi, në momentin kur ishim duke ikur nëpër shtëpi, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, vjen një makinë isha me një shok, më fusnin brenda dhe na shoqërojnë te komisariati 1. Aty në fillim më çojnë në paraburgim, tek qelitë aty brenda, dhe vjen njëri më merr dhe më thotë ‘të kërkon shefi sipër”. Ishte Roki Pepa, filloi me fjalë banale, bashkë me Ervin Hasramën, që më kanë goditur pa pushim.
Si për kërcënime, Roki Pepa më tha ‘mos harro se e ke personale” dhe ‘je me fat se këto pllaka kishe për t’i larë me gjak’, vetë Roki Pepa. Nuk e di a është krim të protestosh, por kjo është një gjë që do i shkoj deri në fund, nuk e fal. Në protestë as vetë nuk e kuptova, thjesht hajde pak këtu sipër, pse proteston, jo pse po shan, isha komplet si gjithë turma. Më çuan tek zyra e tyre, aty ndodhi çdo gjë dhe më kanë goditur. Ishte vetë Roki Pepa dhe vetë Ervin Hasrama, shefi i Komisariatit numër 1.
Pas kësaj dhunë sjell një djalë i thotë të ma kalojë në telefon, kam pasur disa probleme më parë në anën e shëndetësisë, se vëllain e vogël e kam pasur sëmurë dhe nuk më është përgjigjur shteti, dhe tha do t’i rregullojmë pa merak“, deklaroi ai.


